Andreas Ndoj refuzoi ditën e martë ftesën e Kombëtares shqiptare për të luajtur në miqësoret me Italinë dhe Armeninë, kjo për arsye se futbollisti nga Shkodra dëshiron që të përfaqësojë kombëtaren helene.

Ky lajm ka bërë jehonë edhe në mediat greke, si “Neaatletika” apo “Gazeta.gr” që i ka kushtuar një artikull mesfushorit me tipare mbrojtëse.

“Mesfushori 19-vjeçar i Olimpiakosit, dëshiron të garojë në kombëtaren tonë të meshkujve, edhe pse ndeshja e fundit e tij ishte me U-21 e Shqipërisë.

Andreas Ndoj është një rast i një lojtari të talentuar që dalëngadalë ka filluar të vendoset në 11-shen e fillimit të Olimpiakosit. Megjithatë, interesimi nuk ka të bëjë vetëm me imazhin e tij në ekipin e parë të Olimpiakosit, por me Kombëtaren e Greqisë.

Dhe kjo pasi 19-vjeçari kishte luajtur një miqësore me ekipin U-21 të Shqipërisë në shtator, por ai dëshiron të garojë në kombëtaren e vendit tonë, duke pasur gjithsesi dy shtetësi”, thuhej në artikullin e medias greke.