Ka mjaftuar goli i Arsen Hajdarit për t’i dhuruar fitoren e parë në këtë kampionat “Vllaznisë B” ndaj Besës së Kavajës. Lojtari i njohur ka shfrytëzuar një top të mbetur në zonën mike, e ka goditur fort me të majtën dhe ai është përplasur në pjesën e poshtme të traversës duke përfunduar më pas në rrjetë. Ka ndodhur kjo në minutën e 20-të.

Pas këtij goli, kavajasit janë munduar të reagojnë por kanë qenë të pafuqishëm në sulm. Sakaq në pjesën e dytë, Besa ka sakrifikuar jo pak duke e shtyrë gjithë skuadrën përpara në kërkim të golit të barazimit por nuk ia ka dalë dot. Forma e mirë e portierit Vjerdha por edhe e dyshes së qendrës të mbrojtjes, Balaj- Isufi, ka qenë një barrierë e pakalueshme për Mario Morinën dhe sulmuesit e tjerë kundërshtarë. Përfundimisht 1-0 për Vllazninë B që në këtë mënyrë arrin fitoren e parë dhe ngjitet në kuotën e 5 pikëve duke iu shkëputur vendit të fundit të renditjes.