Ka udhëhequr për të gjithë pjesën e parë, por në pjesën e dytë gjithçka është përmbysur dhe ajo ka dalë e humbur nga ndeshja. E kemi fjalën për ballafaqimin e vlefshëm të javës së 18-të, të kampionatit të 17-vjeçarëve, atë në mes Tiranës dhe Vllaznisë.

Ai është luajtur në fushën sportive “Skënder Halili” të kryeqytetit dhe në fund të tij, kanë qenë bardheblutë, të cilët kanë fituar me rezultatin 2-1. Ata kanë besuar deri në fund tek përmbysja dhe ia kanë dalë ta bëjnë ndaj ekipit shkodran. Ky i fundit ka kaluar i pari në avantazh me anë të Halilit, që në minutën e 39-të dhe me këtë gol do të mbyllej pjesa e parë.

Kuqeblutë e trajnerit Doci e kanë ruajtur këtë rezultat deri në minutën e 67-të. Ageja ka barazuar për Tiranën fillimisht, para se Allmuca të shënonte edhe golin e dytë për Tirana U17 në 71’.

Deri në fund ndeshja nuk ka prodhuar asgjë tjetër, sepse i gjithë takimi është mbyllur në shifrat 2-1 për Tiranën. Pas kësaj ndeshje, shanset për ekipin shkodran për të shkuar drejt rrugës së titullit kampion, janë zvogëluar shumë.

Megjithatë, janë edhe shumë ndeshje deri në fund të kampionatit dhe nëse ky ekip bën mirë, mund t’ia dalë. Në rast fitoreje, në sfidën e rradhës, shpresat edhe mund të ringjallen.
Maringlen ZHIVANI