Tërbuni dhe Apolonia e kanë mbyllur në barazim ndeshjen e javës së pestë të kampionatit, atë që është luajtur pasditën e sotme në stadiumin “Ismail Xhemali” të Pukës. Ndeshja ka nisur me raste dhe të parët që kanë kaluar në avantazh kanë qenë miqtë, me anë të sulmuesit nigerian Umejiego që në minutën e gjashtë.

Megjithatë, Tërbuni nuk u demoralizua dhe shumë shpejt, do të vinte edhe goli i barazimit për pukjanët. Kështu, ka qenë ish-sulmuesi i Vllaznisë, Vilfor Hysa, ai që e ka dërguar topin në rrjetë pas një krosimi nga krahu i majtë nga ana e kapitenit Metani.

Deri në fund, me gjithë përpjekjet e shumta të të dy ekipeve, nuk do të kishte ndryshim të rezultatit 1-1. Ky barazim i shkon më shumë për shtat Apolonisë që merr një pikë të vlefshme në transfertë. Megjithatë, nga ana tjetër, pavarësisht barazimit të sotshëm, duket një nisje pozitive e kampionatit për Tërbunin.

Gjatë gjithë verës, drejtuesit e tij trumbetuan me të madhe ndërtimin e një ekipi të fortë dhe realisht, në ndeshjet e deritanishme e ka treguar një gjë të tillë. Pas këtij barazimi, Tërbuni renditet në vendin e dytë në tabelën e klasifikimit me nëntë pikë, teksa ndeshjen e rradhës do ta ketë për Kupën e Shqipërisë ndaj Lushnjës. /Maringlen ZHIVANI/

Tërbuni-Apolonia 1-1

Golat: Hysa 18’ / Umejiego 6’

Formacioni i Tërbunit: Vata, Ruqi, Peqini, Hoxhaj, Metani, Filipi, Mezini, Saliaj, Baholli, Xhabrahimi, Hysa (u aktivizuan: Xhakaj, Duka, Zagani, Kaso) Tr: Alert Alçani