Vllaznia U21 ka barazuar 2-2 në ndeshjen e djeshme ndaj ekipit të Tiranës dhe golin e fundit të ndeshjes, që i dha edhe barazimin shkodranëve, e ka shënuar pikërisht futbollisti shtatlartë, Gledjan Pusi. Në një intervistë për “Shkodra Sport”, ai ka folur për ekipin e tij, ku u shpreh se është i lumtur që dje arriti ta ndihmojë skuadrën me golin e tij.

“Jam i lumtur që arrita të ndihmoj ekipin. Mendoj se ekipi jonë duhet të luftojë çdo ndeshje për fitore, sepse kemi lojtarë cilësorë. Po ashtu, si shkoi ndeshja dje ndaj Tiranës, duhet të jemi të lumtur edhe me barazim.

Ne kemi ekip mjaft cilësorë dhe të gjithë punojmë shumë për të arritur rezultate sa më të mira. Shpresoj dhe besoj se shumë shpejt do jemi aty ku duhet.

Në ekip ka konkurrencë dhe kjo na shërben të gjithëve për t’u përmirësuar. Kemi lojtarë që vijnë nga ekipi i parë dhe ne që kemi ardhur nga U19. Kështu është formuar një grup shumë i mirë”-thotë ai.

Pusi shprehet se do ta kalojnë këtë ngërç që ka skuadra momentalisht, teksa nga ana tjetër në fund ka edhe një dedikim për golin e shënuar dje ndaj Tiranës.

“Në ndeshjet e fundit, nuk kemi marrë pikët maksimale, por do e kalojmë këtë ngërç që kemi dhe do vazhdojmë të luftojmë çdo ndeshje si finale. Sigurisht që, çdo gol që shënoj shkon për familjen time”,-mbylli prononcimin e tij, futbollisti i Vllaznia U21, Gledjan Pusi.
Maringlen ZHIVANI