Pep Guardiola mban skuadrën e karikuar përpara ndeshjes së sotme kundër Uest Hemit, i cili është një tjetër shans për kampionët që të çimentojnë vendin e parë.

“Unë jam i lodhur, por nuk janë këmbët e mia ato që luajnë. Kemi qenë në këtë situatë duke luajtur 6-7 ndeshje në një muaj për një periudhë 6-7 vjeçare. Forca psikologjike do të jetë atje. Kjo është periudha më e bukur në të cilën ne duam të jemi. Psikologjikisht ne nuk jemi të lodhur. Kemi edhe 6 ndeshje dhe duhet të shkojmë për t’i fituar ato. Forca psikologjike është aty”, tha trajneri i Mançester Sitit në konferencën për shtyp.

I pyetur nëse do të ndiqte derbin mes Arsenalit dhe Çelsit, Pep u përgjigj: “Unë nuk i kontrolloj rezultatet e ekipeve të tjera. Jam i fokusuar tek ajo që do të bëjmë kundër Uest Hemit. Ata nuk kanë luajtur sezonin që prisnin, por nuk do të thotë se nuk kanë cilësi.

Analizova ndeshjet e tyre kundër Liverpulit dhe Arsenalit, por edhe atë kundër nesh më herët këtë sezon dhe cilësia është atje në atë skuadër. Deklan Rajs është një lojtar i jashtëzakonshëm dhe ne duhet të jemi absolutisht gati”.

Erling Haland është një gol larg vendosjes së rekordit absolut të golave gjatë një sezoni në Premier Ligë, ndërsa trajneri tha për autorin e 34 golave këtë sezon në kampionat: “Sigurisht që është mirë për të dhe skuadrën nëse ai thyen rekordin. Unë jam shumë i sigurt se ai do të shënojë më shumë gola në Premier Ligë deri në fund të sezonit”.