Vllaznia U-21 po bën mjaft mirë në këtë sezon, ku është pretendente kryesore për fitimin e kampionatit dhe së fundmi, ajo ka marrë një fitore të ngushtë 2-1 ndaj Kukësit që e afron gjithnjë e më shumë me titullin kampion në këtë grupmoshë. Gjatë këtij kampionati, futbollistët shkodranë jo vetëm që kanë shënuar shumë, por edhe kanë mbajtur të paprekur portën e tyre.

Një meritë të madhe për këtë padyshim që ka edhe portieri i Vllaznia U-21, Entoni Shkoza. Gardiani shtatlartë i portës kuqeblu konsiderohet një portier me shumë të ardhme dhe mund të garantojë shumë për të ardhmen e ekipit të parë të Vllaznisë.

Ndërkohë, në një intervistë të dhënë pikërisht për “Shkodra Sport” pas ndeshjes së sotshme me Kukësin, Shkoza u shpreh se ishte një fitore mjaft e vështirë ndaj verilindorëve. Megjithatë, portieri i U-21 theksoi se duhet të punojnë fort deri në fundin e kampionatit, në mënyrë që titulli kampion i kësaj grupmoshe të vijë në Shkodër.

“Besoj se ishte një fitore e vështirë sot përballë Kukësit. Ne u munduam gjithë lojën dhe pavarësisht rezultatit, ne i morëm tre pikët gjithsesi. E mira është që të punojmë fort, që të mbajmë rezultatin në të gjitha ndeshjet, jo vetëm në këtë ndeshje. Megjithatë, ekipi jonë u stabilizua në fund dhe përfundimi ishte që fituam ne.

Normalisht që, ne kemi punuar shumë fort. Eshtë më e vështirë ta mbash vendin e parë se sa të shkosh aty, por tashmë kemi edhe tre ndeshje dhe janë si finale për ne. Pra, asgjë nuk ka përfunduar akoma. Në dorë e kemi ne dhe duhet të punojmë fort, siç jemi duke punuar me profesor Elvis Plorin dhe me gjithë ekipin. Padyshim që, e kemi në dorë ne fitimin e kampionatit”,-tha gjatë prononcimit të tij, portieri i Vllaznia U-21, Entoni Shkoza.
Maringlen ZHIVANI