Nga 12-pikë të mundshme në katër javët e fundit, Vllaznia ka koleksionuar vetëm katër, pikërisht në fitoren me Erzenin dhe në barazimin me Kukësin. Kjo situatë ka bërë që shkodranët ta “harrojnë” për momentin Europën nga kampionati, teksa tani do të duhet të mendojnë seriozisht për Kupën e Shqipërisë.
Tashmë, katër pikë larg nga zona e Europës dhe pesë nga zona “play-out”, ka bërë që në Shkodër të rritet presioni përpara sfidës me Kastriotin, që do të luhet këtë të shtunë në “Elbasan Arena”. Një trepikësh do të rikthejë qetësinë në skuadrën e drejtuar nga Goçe Sedloski, por përpara i pret një malore jo e lehtë.
Frika më e madhe e Vllaznisë nuk janë pikët e lëna gjatë muajit prill në javët e fundit, pasi ato nuk zhbëhen më, por ecuria në vazhdim. Kështu duke pasur një trend në rënie, në klub i druhen vijimit të kësaj situate edhe në pesë takimet e mbetura, në një kohë që çdo ndeshje tashmë ka vlerën e një finaleje.
Rënia e ekipit ka ardhur pikërisht në momentin më kulminant të sezonit, për më tepër që Vllaznia në javën e ardhshme ka edhe përballjen direkte, që mund të vlejë edhe fatet e sezonit. Kështu mund të thuhet, pasi do të luajë me Egnatian për Kupë, që ndoshta Vllaznia sheh shpresën e fundit për Europën. Një përballje “zjarr”, që vjen në kohën kur Vllaznia ka diçka më pak se një muaj, që nuk provon fitoren.
Gjithsesi, vëmendja aktuale e Vllaznisë është vetëm te përballja me Kastriotin, pa menduar gjatë për kalendarin në javët e ardhshme. Për fat të mirë, Sedloski nuk ka mungesa për arsye kartonësh, por e njëjta gjë nuk mund të thuhet për dëmtimet.
Kështu, tre futbollistë janë në pikëpyetje sërish për arsye dëmtimi, ndërsa dy të tjerët që mungojnë nuk kanë qenë të gatshëm prej javësh. Fjala është për kapitenin Erdenis Gurishta, Darko Bulatoviç dhe Bekim Balaj që shpresohet të rikthehen deri të shtunën, ndërsa ata që përfundimisht nuk llogariten janë Esat Mala dhe Geralb Smajli.
Me pak fjalë, Sedloski do t’u besojë pak a shumë të njëjtëve futbollistë si në ndeshjet e mëparshme, ku edhe ka marrë katër pikë deri më tani. Gjithsesi, deri të shtunën mund të ketë të tjera zhvillime, teksa trajneri Goçe Sedloski pret që të gjithë futbollistët të japin maksimumin për ta kaluar këtë situatë të vështirë.
Maringlen ZHIVANI