Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola i ka thurur elozhe kolegut të tij te Brighton, Roberto de Zerbi.Manchester City do të luajë në fushën e Brighton të mërkurën në mbrëmje.

Guardiola tha: “Unë e përgëzoj Brighton për arritjen e tyre të jashtëzakonshme për të hyrë në Europa League.Më dëgjoni mua sepse jam shumë i bindur se kam të drejtë – Roberto de Zerbi është një nga trajnerët më me ndikim në 20 vitet e fundit.

“Nuk ka asnjë skuadër që luan në mënyrën se si ata luajnë – është unike. Kam pasur ndjesinë kur ai mbërriti në Premier League se ndikimi do të ishte i madh, por nuk mund të prisja që ai do ta bënte këtë në këtë kohë kaq të shkurtër.

“Ai krijon mesatarisht 20-25 raste në një ndeshje. Ai është shumë më i mirë se të gjithë kundërshtarët, ai e monopolizon topin në një mënyrë që nuk e kam parë për një kohë të gjatë”.

Pep vazhdoi: “Të gjithë janë të përfshirë – portieri është si një mesfushor. Dhe nëse nuk luan një nivel të lartë, ai (De Zerbi) mund të bëjë çfarë të dojë kundër teje dhe kundër të gjithë kundërshtarëve. Ata i meritojnë plotësisht të gjitha komplimentet dhe suksesin që kanë.

“Është një nga ekipet që përpiqem të mësoj më shumë. Është unik si një restorant me yje Michelin – në Katalonjë, kuzhinieri më i mirë për shumë e shumë vite, ai ndryshoi plotësisht kuzhinën dhe mendoj se Brighton po bën diçka unik.

“Do të jetë një sfidë shumë e mirë dhe e pabesueshme për ne që do të na ndihmojë në përgatitjen për dy finalet, absolutisht”.