I ftuar mbrëmë në rubrikën sportive të Star Sport ishte edhe Erdenis Gurishta. Kapiteni i Vllaznisë foli për ndeshjen kundër Laçit, si edhe për ecurinë e kuqebluve apo edhe takimin e rradhës kundër Teutes.

Gurishta tha:”Fituam një ndeshje që parashikohej të ishte e vështirë kundër Laçit dhe ashtu doli. Them se e merituam fitoren pavarësisht se edhe Laçi kishte mundësitë e tija. Skuadra po e merr veten nga ndeshja në ndeshje dhe entuziasmi që u paraqit në fund të ndeshjes të së shtunës na kishte munguar prej kohësh.

Harmonia e prishur ? Këto janë vetëm fjalë që qarkullojnë lart e poshtë sepse skuadra ka pasur gjithmonë harmoni. Edhe kur kemi pasur rezultate negative ne kemi qenë gjithmonë të bashkuar.

Teuta ? Do jetë një tjetër takim i fortë ku kundërshtarët tashmë kanë një lloj ndryshimi me ikjen e trajnerit Martini. Ne duam të vazhdojmë në ecurinë e këtyre javëve dhe të ngjitemi sa më lart në renditje.

Kundërshtari më i fortë ? Mund të them se ka qenë Kukësi sidomos kur na shënoi golin e parë në ndeshjen në Rrogozhinë. Them se ata na kanë vënë shumë në vështirësi”.

ENDRI CINARI