Humbja në derbi është gjithmonë e hidhur, aq më tepër kur bëhet fjalë për “rrëzimin” e parë sezonal. Tirana u mposht 2-0 nga Dinamo në duelin e parë të raundit të 1/8-ve të Kupës së Shqipërisë, rezultat që ka zhgënjyer Refik Halilin.

Presidenti i Tiranës foli pas ndeshjes për Supersport, duke mos i kursyer “thumbimet” për lojtarët e tij, i bindur që ata e nënvlerësuan kundërshtarin e sotëm.

“Të them të drejtën, e kishim marrë shumë shumë lehtë. Duhet të zemë të gjithë mësim. Kampionati është shumë i gjatë, ndoshta kjo ndeshje na bëhet mësim.

E kam parë skuadrën, që nga kapiteni e të tjerë me radhë, e kishin marrë ndeshjen shumë lehtë. Kishin krijuar idenë që sikur po luajmë me një skuadër të kategorisë së tretë”.

Në fund nuk mungon optimizmi dhe karikimi. Dy ekipet përballen sërish me njëra-tjetrën të shtunën në kampionat, teksa javën tjetër do të zhvillohet përballja e kthimit në Kupë.

“Do t’i fitojmë të dyja ndeshjet, në Kupë dhe kampionat”, deklaroi plot besim kreu i klubit të Tiranës.