Po t’i thoshin pak kohë më parë se do të shkonte në Kinë për të luajtur futboll, me shumë mundësi që edhe vetë Hamdi Salihi do të ishte habitur së tepërmi. Por në fakt, duket se një gjë e tillë tashmë është shumë pranë realitetit. Ai ka marrë një ofertë shumë të mirë nga njëra prej skuadrave të këtij kampionati pikërisht Changchun Yatai FC. Kjo skuadër i ka ofruar sulmuesit shkodran një kontratë trevjeçare nga e cila ai do të përfitojë 1.8 milionë dollarë ndërsa klubi i Rapidit të Vjenës do të përfitojë 450 mijë euro për ta lënë të lirë atë. Me këtë lëvizje është duke u marrë menaxheri shkodran Uliks Kotrri sëbashku me menaxherin tjetër Kosta Grillo. Vetë Kotrri duke folur për gazetën online www.shkodrasport.com, do të thoshte: “Ekziston mundësia që Salihi të kalojë tek skuadra kineze Changchun Yatai FC. Ajo ka shfaqur interes për të. Bisedimet janë në rrugën e duhur por sigurisht që ka shumë detaje për t’u diskutuar. Me shumë mundësi, sonte ose nesër kjo çështje mund të mbyllet por pa u mbyllur përfundimisht, nuk mund të konsiderohet e kryer sepse ka shumë detaje që mund të çojnë në prishjen e gjithëçkaje por të shpresojmë që jo”. Në këtë mënyrë, mbase janë orët e fundit të mbylljes së kësaj tratative që do t’i jepte fund edhe odisesë së fjalëve që e dërgonin këtë futbollist sa në njërin klub, aq në tjetrin. Por gjasat janë që ai të përfundojë në Kinë tek Changchun Yatai FC.

www.shkodrasport.com