Boksieri i njohur shkodran Jetmi Kuçi është mundur mbrëmë në ndeshjen e zhvilluar në Sllovaki ndaj hungarezit Istvan Szili. Kjo ka qenë e para humbje për Kuçin në karrierën e tij si profesionist pasi në gjashtë ndeshjet e para kishte dalë fitues. Nga informacionet që vijnë nga qyteti i Trnavës ku është zhvilluar ndeshja, bëhet e ditur se boksieri shkodran është tërhequr në raundin e tretë të kësaj ndeshje me tetë raunde. Në këtë tërheqje të tij ka ndikuar edhe gjykimi jo i rregullt i arbitrit të ringut që ka lejuar grushtimin e rëndë të boksierit hungarez dhe njëkohësisht jashtë rregullave. Kështu ka ndodhur edhe në raundin e tretë teksa ai i ka kërkuar Kuçit të ngrejë kokën, por për këtë veprim është dënuar me pikë. Kjo ndeshje ka qenë një mundësi e mirë që Jetmir Kuçi në rast fitoreje të synonte për një garë për titull të kampionit të Europës. Por nëse e ka humbur këtë shans, ai mund ta përsërisë këtë gjë ndoshta në maj kur mendohet të organizohet një tjetër ndeshje në Gjermani. Por deri atëherë, sigurisht që duhet shumë punë dhe stërvitje për këtë boksier, në mënyrë që ai të dalë triumfues siç ka dalë gjatë gjithë karrierës së tij.

www.shkodrasport.com