Veleçiku po zhvillon një ecuri shumë pozitive në Kategorinë e Dytë, teksa në 8 ndeshjet e fundit ka marrë 8 fitore rradhazi. I ftuar në emisionin “Sport Arena” në TV Rozafa, trajneri i Veleçikut, Haris Lika shprehet i kënaqur, jo vetëm me fitoret, por edhe me ecurinë pozitive të zhvilluar nga skuadra e tij, duke synuar kështu kualifikimin në Kategorinë e Parë.

Lika tha se tani që vjen fundi po bëhen lëvizje të ndryshme, por ekipi i tij është i përgatitur për çdo situatë. Ndër të tjera, ai u shpreh besimplotë që Veleçiku do të ngjitet në Kategorinë e Parë.

“Tashmë, me ecurinë pozitive që kemi bërë me fillimin e fazës së dytë dhe me mbarimin e fazës së parë, sepse shpesh herë përmendet vetëm ecuria e fazës së dytë me 8 fitore rradhazi, por këtu nuk duhet të harrojmë edhe mbylljen e fazës së parë, që ka qenë një ecuri shumë pozitive.

Pra, po bëhet që sa javë që ekipi vazhdon të jetë në tonus dhe kemi marrë pikët e plota në çdo ndeshje, si brenda, si jashtë, sepse dihet në Kategorinë e Dytë, çdo kundërshtar jashtë është i fortë.

Çdo fushë ku do të shkosh të luash, është kundërshtar i ashpër, i egër. Pa përmendur pastaj edhe shumë lojëra të tjera që bëhen, sidomos tani që vjen fundi.

Lëvizjet e ndryshme që bëhen prej ekipeve kundërshtare për të na ndalur me të gjitha mënyrat, por ne e kemi bërë më së miri. E kemi përgatitur ekipin për çdo situatë dhe kemi korrur sukses në çdo ndeshje.

Të them të drejtën, për situatën aktuale që jemi, po ta kishim bërë këtë bisedë më përpara, ndoshta nuk do t’i kisha folur këto fjalë, por me këtë ecuri që kemi pasur kohët e fundit, me këto pikë që kemi marrë, me këto rezultate dhe me këtë entuziasëm që është në ekip, na kanë mbetur edhe tre ndeshje, dy të cilat i kemi në fushën tonë me dy rivalët kryesorë, me vendin e parë Orikun, që është tre pikë para dhe me Luzin e vendit të dytë, që e kemi dy pikë para.

Të dyja këto, i presim në fushën tonë, në fushën sportive, aty në Koplik dhe duhet të them që ne besojmë dhe shpresojmë, jemi besimplotë që do t’i kalojmë këto dy ndeshje dhe shpresojmë shumë që ta nxjerrim ekipin direkt pa play-off në Kategorinë e Parë.

Play-off dihet, është shumë i vështirë. Janë tre ndeshje në qoftë se del me play-off, por kuptohet ka vështirësitë e veta.

Janë ndeshje direkte, që nuk i dihet se si mund të shkojnë. Ne shpresojmë dhe kemi mundësinë, kemi shansin e artë që këto dy ndeshje, që kemi në fushën tonë, të korrim fitore dhe ta çojmë ekipin direkt.

Gjithmonë, unë e kam thënë dhe do ta them gjithmonë edhe kur mos të jem trajner i Veleçikut, që Veleçiku nuk e meriton për të qenë në Kategorinë e Dytë. Ka qenë dhe do të mbetet gjithmonë, një ekip që është konkurrent dhe ndër ekipet që ka lënë gjurmë në Kategorinë e Parë dhe shpresoj që këtë vit dhe në vazhdim, të vazhdojë të jetë po i tillë, sepse e meriton me gjithë mundin dhe gjithë ata djem, që kanë djersitur dhe kanë kontribuar për Veleçikun.

Kanë bërë më të mirën e tyre që Veleçiku të jetë gjithmonë pretendent edhe në Kategorinë e Parë, pavarësisht se vite më përpara, duhet përmendur këtu që ka dalë edhe në Superiore, por ndryshoi edhe sistemi atëherë, në qoftë se kthehemi pak mbrapa në kohë. Pra, kanë arritur që ta çojnë ekipin e Veleçikut edhe në Superiore, por të paktën në Kategorinë e Parë, ka qenë gjithmonë ndër ata ekipet që në mesin e tabelës e sipër, ka qenë gjithmonë.

Shpresoj që ne ta çojmë këtë vit ekipin e Veleçikut në Kategorinë e Parë dhe pastaj të jetë aty ku i takon, sepse nuk e ka vendin e vet, këtu ku jemi aktualisht”,-tha gjatë prononcimit të tij, trajneri i Veleçikut, Haris Lika.

Maringlen ZHIVANI