Për të po flitet shumë kohët e fundit. Te Vllaznia kanë javë që presin të shohin Liridon Latifin e vërtetë, i cili duket se gradualisht po rikthehet në atë të vërtetin, që jemi mësuar të shohim në fushat e Superiores me Skënderbeun, teksa këtë javë ndaj Partizanit dha të tjera konfirmime që po kalon një formë të mirë.
Mesfushori anësor, tashmë 28 vjeç, u rikthye këtë verë në Abissnet Superiore pas katër vitesh dhe mbase te Vllaznia ka ngjallur atë shpresën se ndeshje pas ndeshje është rikthyer Liridon Latifi i pak viteve më parë, kur spikaste në Superiore me fanellën e Skënderbeut.
Sfidat e fundit që Latifi ka bërë, na kanë krijuar këtë përshtypje, teksa pak nga pak lojtari në fjalë po kthehet në një futbollist shumë të rëndësishëm për ekipin kuqeblu.
Latifi me Vllazninë ka qenë titullar në çdo ndeshje, përveç njërës për shkak se ishte i pezulluar me kartonë të verdhë, dhe ka shënuar 9 gola në 20 ndeshje, duke u bërë edhe golashënuesi më i mirë për Vllazninë.
Mesfushori anësor ka treguar një përformancë shumë të mirë periudhën e fundit me shkodranët dhe jo më kot ka marrë shumë duartrokitje në këto ndeshjet e fundit, teksa në Shkodër presin shumë prej tij.
Maringlen ZHIVANI