Vllaznia U21 e ka nisur me fitore kampionatin duke mundur në Durrës Teutën me rezultatin 2-1, falë golave të shënuar nga Deda dhe Stafa. Një start i mbarë që ka shtuar besimin dhe entuziasmin në kampin shkodran për një ecuri të mirë edhe në vazhdim.

Duke folur në lidhje me këtë takim të parë, trajneri Fatjon Hasani për “Shkodra Sport” është shprehur: “Jam i kënaqur me këtë ndeshje të parë. Djemtë dhanë më të mirën e tyre dhe treguan vlerat e tyre. Unë kam shumë besim tek grupi i lojtarëve që kam në dispozicion dhe mendoj se do të jemi një ndër ekipet më të mira të kampionatit.

Me Teutën jemi ndeshur në një miqësore para 10 ditësh po në Durrës dhe i kishim mundur edhe atëherë dhe i mundëm edhe tani. E kontrolluam lojën, shënuam të parët dhe ndonëse kishim edhe raste të tjera, nuk ia dolëm të dyfishojmë ndërkohë që kundërshtari na shënoi me një gol që mendoj se ishte pozicion jashtë loje. Megjithatë ne shënuam edhe golin e dytë dhe e fituam ndeshjen”.

Për të ndjekur këtë takim dhe për të mbështetur ekipin Vllaznia U21 kanë qenë dje në Durrës thuajse të gjithë drejtuesit e klubit dhe pjestarët e stafit teknik të ekipit të parë. Për trajnerin Hasani ky është një vlerësim për futbollistët e rinj e për këtë ai shton:

“Prania e të gjithë drejtuesve të klubit dhe e stafit të ekipit të parë në këtë ndeshje është një tregues se te Vllaznia sivjet gjërat po funksionojnë në mënyrën e duhur. Njëkohësisht prania e tyre është një mbështetje për futbollistët e rinj, për t’u thënë atyre që janë në vëmendjen e klubit dhe rruga e tyre drejt ekipit të parë është e hapur. Unë mendoj se kjo gjë ka për t’i ndihmuar ata të rriten edhe më shumë nga ana profesionale dhe do të jenë elementë të vlefshëm për Vllazninë”./SHKODRA-SPORT.COM/