Partizani do të luajë nesër sfidën e javës së 11-të ndaj Skënderbeut. Ndeshja do të luhet në “Air Albania” dhe do të nisë në orën 16:45. Sot në konferencën për mediat në krah të trajnerit Daja ishte edhe Herald Marku. Mesfushori i Partizani u shpreh:

“Ishte një fitore e rëndësishme ndaj Teutës dhe jemi të lumtur. Goli në minutat e fundit kishte shumë adrelinë dhe duam të vazhdojmë me këtë ritëm duke fituar. Shpresoj që fati të jetë kthyer nga ana jonë dhe të mos ndalemi më”.

Skënderbeu? “Është një ndeshje e vështirë dhe ajo që duhet të bëjmë nesër është që të jemi të përqendruar dhe të bëjmë ato që kemi përgatitur në stërvitje”.

Aspekti personal? “Nuk jam i kënaqur pasi pretendimet e mia janë shumë të larta. Nga ndeshja në ndeshje do të bëjë maksimumin për të arritur në nivelin më të mire. Shpresoj të shënoj nesër”.

Ecuria e skuadrës? “Kemi bërë ndeshje shumë të mira, por nuk kemi fituar. Te Partizani janë bërë shumë ndryshime dhe këto ndryshime kërkojnë kohën e vet. Rezultatet janë të rëndësishme dhe mendoj se tani jemi në rrugën e duhur”, u shpreh Marku.