Federata Shqiptare e Futbollit hodhi dje shortin për sezonin e ri ‘Abissnet Superiore’ 2023-2024 të Kampionatit Kombëtar të Futbollit të Vajzave që është planifikuar të nisë më 1 tetor. Vllaznia kampione në fuqi e vendit do ta nisë këtë kampionat duke luajtur në transfertë ndaj ekipit të Partizanit
Të pranishëm në këtë short që u zhvillua në ambientet e ‘Shtëpisë së Futbollit’ ishin specialistët e Departamentit të Garave, Endi Hyka dhe Neritan Koçi, si edhe përfaqësuesit e disa prej klubeve pjesëmarrëse në këtë kampionat, të cilët u njohën me kalendarin për 18 javët e këtij edicioni të ri.
Në ndryshim nga sezoni i fundit, Kukësi nuk do të jetë pjesë e kampionatit kombëtar të vajzave, ndërsa risi e këtij edicioni është ekipi i Gramshit. Skuadra e Tirana AS i është atashuar ekipit të Gramshit në këtë sezon futbollistik, duke garuar si një skuadër me të drejta të barabarta me të gjithë ekipet e tjera që marrin pjesë në kampionatin elitë të futbollit të vajzave.
Edhe në këtë edicion, kampionati kombëtar i vajzave përbëhet nga 10 skuadra dhe do të zhvillohet i ndarë në dy faza, me çdo skuadër që do të luajë në total 18 ndeshje.
Java e parë e kampionatit të vajzave:
Partizani – Vllaznia
Gramshi – Apolonia
Tirana – Lushnja
Skënderbeu – Laçi
Kinostudio – Teuta