Pas basketbollit, edhe volejbolli ka përcaktuar datat dhe ndeshjet e Kupës së Shqipërisë. Ajo që të bën përshtypje është se Federata ka përcaktuar një skemë të tillë që do t’i grumbullojë për tre ditë me rradhë ekipet në Tiranë dhe Durrës. Por ajo që të bën përshtypje, ka të bëjë me atë që ekipi i femrave i Vllaznisë do t’i luajë ndeshjet në Durrës ndërsa meshkujt në Tiranë. Kjo do të jetë faza e parë e ndeshjeve të Kupës dhe të dy ekipet shkodrane kuptohet që do të kenë si objektiv kalimin në turin final megjithatë për femrat do të jetë paksa e vështirë.

Kjo sepse në grupin ku ajo merr pjesë, do të ndeshet me ekipe të tilla si Barleti Volej dhe Teuta që janë shumë të forta dhe duke qenë se nga një grup kualifikohen vetëm dy ekipe, kjo e bën shumë të vështirë punën për Vllazninë e trajneres Sadije Gogaj. Disi më ndryshe qëndron puna për ekipin e meshkujve që drejtohet nga trajneri Mark Kroqi. Ai është në grup me Tirana, Erzenin, Skënderbeun dhe Elbasanin dhe natyrisht që të gjitha shanset dhe mundësitë janë për të kaluar në turin final të këtij kompeticioni. Madje, shkodranët do të tentojnë dhe do të luftojnë fort për ta fituar këtë trofe këtë sezon. Atë që nuk e arritën vitin e kaluar në ndeshjet që u zhvilluan në Shkodër, do të tentojnë ta arrijnë sivjet. Vllaznia këto ditë do të marrë pjesë në kupën e Flamurit që do të zhvillohet të dielën dhe të hënën në Kërçovë të Maqedonisë dhe më pas do të nisë përgatitjet për ndeshjet e kupës së Shqipërisë, ndeshje këto që do të nisin më datën 9 dhjetor.

www.shkodrasport.com