Xheki Sheldon u shkatërrua ndërsa pyetjet e hetuesve e vendosën në qoshe. Në Angli, në fillim të shekullit të kaluar, hetimet për trukimet e ndeshjes nuk ishin të rralla, por pistat e garave dhe ndeshjet e boksit ishin epiqendra e marrëveshjeve të dyshimta të mafiozëve që kontrollonin të gjitha qytetet e mëdha të Mbretërisë së Bashkuar.

Por futbolli, si një sport masiv dhe siç shihet në serialin “Peaky Blinders”, kishte filluar të ishte në radarin e botës së krimit dhe të lojërave të fatit. Kjo është arsyeja pse ishte e habitshme që para ndeshjes Mançester JunajtidLiverpul më 2 prill 1915 (E Premtja e Mirë) bastet u ngritën në qiell në favor të ekipit të “Old Trafford”: 8-1. Nuk kishte arsye për këtë, pasi vendësit ishin të parafundit me 26 pikë, vetëm një përpara Totenhemit, i cili zinte vendin e fundit dhe të vetëm të rënies.

Dhe Liverpuli ishte në mes të tabelës, por 29 pikët e tyre nuk e mbajtën larg kërcënimit për rënie. Më parë ishin kryer hetime për trukime në ndeshje futbolli, si Liverpul-Çelsi (24-3- 1911), por ato nuk kishin avancuar më tej. Kjo ndryshoi në prill 1915, në një Angli në luftë, por në të cilin futbolli vazhdoi. Mançester Junajtid fitoi 2-0, me dy golat e Xhorxh Andersonit.

Por për 15,000 shikuesit në tribuna, për arbitrin dhe për gazetarët që morën pjesë, kishte gjëra që tërhoqën vëmendjen: me 1-0, kapiteni i Liverpulit (irlandezi Patrik O’Konell) në mënyrë absurde goditi një penallti larg. Pastaj shpërthimet e zemërimit nga shokët e tij me Fred Pagmanin, kur sulmuesi i Liverpulit u afrua për të shënuar golin e 2-1, me një goditje që preku traversën.

Hetimet nisën herët. Futbollisti Fred Hargrivs ishte i sigurt se loja ishte e manipuluar. Më 10 maj, në Grand Hotel në Mançester, tre hetues të FA nisën një çështje që tashmë kishte filluar të shfaqej në tabloide. Për muaj të tërë komisioni hetimor ka kryer intervista, ka mbledhur prova dhe dëshmi. Më 23 dhjetor verdikti i federatës angleze hodhi dritë: “Ne jemi të kënaqur që hetimi ka gjetur prova kundër: Xh. Sheldon, R.R. Përçell, T. Miller dhe T. Fairfoll (Liverpul); A. Tërnbull, A. Uellej dhe Xh. Uest (Mançester Junajtid). L. Kuk (Çester).

Ata janë të ndaluar përjetë nga çdo aktivitet që lidhet me futbollin”. Dënimi u bazua në një përpjekje për të “marrë para në cilësinë private” dhe klubet u lanë jashtë çështjes. Një tjetër nga ata të përfshirë në komplot ishte një lojtar i Mançester Sitit, Fred Hauard, por ai mori një sanksion vetëm për kohën e mbetur në kontratën e regjistruar me federatën, pak më shumë se dy muaj. Dëshmia e Sheldonit, i cili kishte luajtur para për ndeshjen në fjalë, ishte ajo që shkaktoi gjithçka.

Ishte ai që hapi rrugën për të tërhequr fillin e trukimit 2- 0, që nisi me një takim në një pab të Mançesterit, “Dog and Partridge”. Rasti ishte veçanërisht i vështirë për presidentin e Liverpulit, Xhon MekKena (1855-1936), një njeri kyç në origjinën e klubit të “Anfield” dhe një figurë shumë e rëndësishme në Ligën Angleze, president i së cilës do të bëhej dy vjet më vonë. Përveç mohimit të të dënuarve, ai gjithmonë ankohej se pjesa tjetër e lojtarëve të klubit që dinin për komplotin nuk e kishin zbuluar fillimisht dhe e dënuan më vonë.

LUFTA SI FALJE – Nga tetë dënimet e përjetshme nga futbolli, gjashtë u anuluan si shpërblim për pjesëmarrjen e të dënuarve në forcat e armatosura angleze gjatë Luftës së Parë Botërore. Dënimi i Tërnbull u shfuqizua pas vdekjes. I regjistruar në të ashtuquajturin Batalion të Futbollit, ai shpresonte të shlyente dënimin e tij në fushën e betejës, por ajo që gjeti ishte vdekja në Francë pasi u plagos dhe me sa duket, ra në duart e gjermanëve. Emri i tij shfaqet në Arras, në monumentin e 34.785 ushtarëve aleatë që ranë midis pranverës së 1916-ës dhe gushtit 1918.

I dënuari i fundit, Enoh Uest, luftoi deri në fund të ditëve të tij për të provuar pafajësinë e tij. Ai nuk pranoi të regjistrohej dhe ndërmori një betejë ligjore për të pastruar emrin e tij, nga e cila nuk hoqi dorë, pavarësisht se në vitin 1945 përfitoi nga një amnisti e përgjithshme pas Luftës së Dytë Botërore. Ai ishte 59 vjeç. Ai vdiq në shtator 1965, duke shpallur pafajësinë e tij dhe pas një sanksioni që zgjati 30 vjet, pezullimi më i gjatë në historinë e futbollit./panorama-sport/