Kjo do të thotë se bukur 32.72 për qind e 110 ndeshjeve të deritashme kanë përfunduar 1-0! Eshtë një tregues tejet interesant prej të cilit mund të shfaqen disa dukuri. Ndoshta jo probleme. Probleme është fjalë e madhe, dhe në rastin tonë më fort mund të gjendet diku tjetër…

Këtu kemi të bëjmë me dukurinë e mangësive të golave, ku sundimi i rezultatit “1-0” mund të jetë simboli i shterpësisë së lojës sulmuese. Eshtë mesatarisht vetëm 2.07 gola për ndeshje. Dihet ndërkohë: Kampionati i Shqipërisë përherë ka pasur mesatare të vogël të shënimit të golave. Në Kampionatin e kaluar, atë 2021-2022 ishte 2.26 gola për ndeshje. Dhe arritja e mesatares së golave në 3 për ndeshje për herë të fundit, qysh nga viti 1957, ka ndodhë më 2003-2004 kur ishte 3.01 për ndeshje dhe kur Vioresin Sinani i Vllaznisë ishte mbreti: shënoi 36 gola! Por Kampione ishte SK Tirana me golaverazhin 90-36, kur Vllaznia – e treta – e kishte shënuar 77 gola. Dhe gati gjysmën e golave – Sinani! Trajner i SK Tiranës ishte Mirel Josa – sot i Vllaznisë, me siguri i bindur se nuk ka një Sinan të dytë në fushë… Mos po na shterojnë edhe talentet e golave?…

Ndërkaq, historia na thotë se Sinani është i dyti mbas Resmes së Kampionatit të vitit 1951 i cili shënoi 59 gola. Arritje përtej historisë kjo, që e përfshin mjeshtrin tonë të paharrueshëm midis 6 shënuesve më të mirë të kampionateve kombëtare të të gjithë shteteve të botës për të gjitha kohërat. Partizani kishte golaverazhin 136-10. Por nuk u shpall kampion. Titullin e fitoi Dinamo me golaverazhin 108-7. Çudi e madhe kjo! Kohë tjetër e një futbolli tjetër…

Tash, duke u kthyer në këtë javë të 22-të të këtij Kampionati 2022-23 të Shekullit XXI, 3 prej 5 ndeshjeve ishin “1-0”, pa harruar se 6 skuadra nga 10 që janë, nuk shënuan asnjë gol: Erzeni, KF Laçi, Kastrioti, KF Kukësi, Egnatia e Vllaznia. E doemos vetëm 6 gola të shënuar në 5 ndeshje që do të thotë mesatarisht 1.2 gola për ndeshje! Në Javën 21 patëm edhe më tepër “1-0” sepse 4 nga 5 ndeshjet dhanë rezultatin “1-0”.

E kështu, mund të përimtojmë ose numërojmë plot 36 rezultate “1-0”.

Dihet ndërkaq, se rezultate “1-0” mund të nënkuptojnë edhe ndeshje shumë të mira e befasuese. E, nga të 36-tët “1-0” kujtojmë ndeshje të tilla si Partizani – Erzeni 0-1, SK Tirana – Erzeni 0-1, Vllaznia – Egnatia 0-1, Teuta – SK Tirana 1-0, Kastrioti – Vllaznia 1- 0, SK Tirana – Partizani 0-1, duke kulmuar me Vllaznia – SK Tirana 1-0. Madje duke mbikulmuar me ndeshjen e javës së fundit, këtë Kastrioti – SK Tirana 0-1 në minutën e 100-të me autor Nikqin! Ta do mendja se mund të jetë “1-0”-ja më “fenomenale” në historinë tonë.

E megjithatë…

Megjithatë rezultati “1-0” në futboll hyn në rezultatet e ashtuquajtur të varfër. Vujadin Boskov ka thënë më mirë të humbas një ndeshje 6-0 se sa 6 ndeshje 1-0.

Si të thuash, “1-0”-ja është “vëllau” i madh i rezultatit “0-0”. Dhe papritmas shoh se na del që kemi edhe plot 13 rezultate “0-0”. Kësisoji, “vëlla e motër” arrijnë në 49 ndeshje të varfra – gati 50 përqind e ndeshjeve të Kampionatit – që sundojnë një shterpësi shembullore.

Nëse Kampionati shkon kështu, pra nëse sundohet nga kjo dukuri edhe më tej, ai mund të hyjë në histori si ndër më të varfrit.

Cili mund të jetë shkaku i sundimit të rezultatit “1-0”? Zbehje e skajshme futbollit sulmues? Mbrojtje të forta? Mungesë e shënuesve të talentuar?

Mund të jenë të tria këto. E, Kampionati u varfërua edhe me shitjen mû në mes të tij (fort e diskutueshme kjo) jashtë kufijve të Shqipërisë të kryeshënuesve Skuka e Xhixha. Mirë që u shitën se u fituan të ardhura, por a duken kund shenjat e zëvendësimit të tyre, të paktën me shënues të talentuar të së ardhmes? Temë vërtet e tërheqëse kjo, për të mbërritur te ajo që na kujton se në “propagandën” e Kampionatit të Shqipërisë kurrë nuk përimtohet, nuk analizohet, nuk shtjellohet. Në një kohë që kjo ka të bëjë me problemin e problemeve në futbollin tonë kombëtar: me moskativizimin e elementit të ri që vjen prej farishteve të klubit që u quakan “akademi”.

Tash po guxoj të shkoj aty ku vërtet është delikate për të mbërritur. Po shkoj te ajo që në futboll quhet “loja kolektive”. Dhe çka vërehet? Vërehet pasioni i madh për të shënuar “unë vetë”. Kjo shihet në skenat e shumta të ndeshjeve shqiptare, kur sulmuesi në vend që t’ia kalojë topin shokut që është i vetëm para portës, prapë kërkon të gjuajë vetë, ndonëse bashkëlojtari pra, është në një pozicion tejet më të mirë për të shënuar. Vërejini më me vëmendje ndeshjet e Kampionatit! Këto skena apo episode të mospasimit te shoku i zbuluar, janë vërtet të shumta. Ky në futboll quhet egoizmi për të shënuan “unë”. Ndryshe ky është “uni” i vetshënimit të golit. Eshtë e çuditshme vërtet, sesi ka shumë gjuajtje nga largësia që përfundojnë në “stratosferë”, siç thoshte Anton Mazreku, ndërkohë që shoku i zbuluar afër portës, gati po të lutet me gjeste për t’ia pasuar topin atij.

Kjo sigurisht është një temë, jo aq fort për gazetarin, por për specialistin. Mirëpo, ndodh shpesh që specialisti hesht, teksa po kërkon të merret me gazetari – e kjo është diçka e mirë – por çuditërisht po harron mendimin teknik që më fort i përket atij.

Po kujtoj edhe këtë thënie emblematike të futbollit me autor një legjendar:

Johan Cruyff: “Futbolli luhet me mendje. Nëse nuk përdor mendjen, këmbët nuk mjaftojnë”.

E mendja përsëmbari të kujton se topi duhet çuar te shoku që është i vetëm para portës. Mëkat nëse përdor këmbën pa dëgjuar mendjen.

Dhe për pak harrova shifrën e shifrave: asnjë skuadër e Kampionatit nuk ka arritur të shënojë mesatarisht 2 gola për ndeshje. Madje 5 prej tyre nuk kanë arritur të shënojnë mesatarisht as edhe 1 gol për ndeshje! Doemos ngaqë kemi 36 herë “1-0”, por dhe 13 herë “0-0”!…