Pas disa përpjekjesh, atleti shkodran Franko Burraj më në fund ka arritur të thyejë rekordin kombëtar në garën e 400 metrave.

Ka ndodhur kështu në garat e zhvilluara në Tarragona të Spanjës pikërisht në Lojërat Mesdhetare ku ai po merr pjesë.

Burraj ka konkurruar në baterinë B dhe është renditur i dyti pas një atleti shkodran por ajo që veçohet është koha e arritur nga Burraj me 46″71.

Një kohë që është 10 të qindtat më e mirë se rekordi i mëparshëm i kësaj gare që mbahej nga një tjetër atlet shkodran- Ilir Xhani.

Ky i fundit e kishte vendosur rekordin me kohën 46″81 plot 21 vite më parë, më 28 qershor 1997 në një garë të zhvilluar në Athinë të Greqisë.

Pikërisht kjo gjë e bën edhe më të veçantë rekordin e sotëm të Franko Burraj që e shkruan emrin e tij në librin e artë të rekordmenëve shqiptarë.

Megjithatë, ai nuk ka ndër mend të ndalet këtu. Nesër do të zhvillohet finalja e garës së 400 metrave në Lojërat Mesdhetare dhe ai do të tentojë sërish thyerjen e këtij rekordi.

Por jo vetëm kaq. Ky atlet do të na dhurojë bashkë me trajnerin e tij Bruno Rrotani edhe shumë gjëra të tjera të mira në të ardhmen sepse ende nuk i ka mbushur 20 vjeç.
www.shkodrasport.com