Hollanda ka mundur Italinë 4-2 në finale të Kampionatit Europian dhe është shpallur kampione e kontinentit duke treguar edhe njëherë tjetër se është më e mira për këtë grupmoshë.

Në këtë mënyrë portieri shkodran që mbrojti portën italiane- Marco Molla, nuk arriti dot të shpallej kampion Europe megjithatë edhe vendi i dytë dhe medalja e argjendtë e fituar prej tij padyshim që është një arritje e jashtëzakonshme për karrierën e tij që vazhdon të jetë gjithnjë në rritje.

Molla luajti për 90 minuta si titullar edhe në finalen e sotme të Dublinit ndonëse skuadra e tij u mund me një rezultat që ndoshta as vetë nuk e kishin menduar.

Hollandezët kanë shënuar tre gola në pjesën e parë dhe u duk qartë se ata ishin favoritë për të fituar takimin. Në fillimin e së dytës Colombo shënoi golin e parë për italianët megjithatë Unuvat ka shënuar edhe golin e katërt për hollandezët. Ndonëse Colombo shënoi golin e dytë një minutë para fundit, ai nuk ka mjaftuar për asgjë.

Italia U17 vërtetë nuk arriti dot të shpallet Kampione Europe, por shqiptari Molla “e fitoi” Europianin e vet. Ka luajtur në 5 prej 6 ndeshjeve të këtij kompeticioni si titullar dhe kjo është një arritje e madhe për 16 vjeçarin me origjinë nga Shkodra.
© shkodrasport.com