Çiklizmi shkodran po kalon një moment aspak të mirë megjithatë në këto momente, një ish-sportist I Vllaznisë së viteve ’80, Sabaudin Hoxha, ka marrë përsipër një mision të ëvshtirë për ringritjen e tij. Në një intervistë për gazeten shkodrasport.com, ai ka bërë publike edhe vështirësitë që po hap për ringritjen e këtij ekipi. Pengesat janë të mëdha, që nga mungesat e bazës materiale, trafiku I rënduar në të cilin stërviten sportistët e shumë gjëra të tjera, thotë trajneri Hoxha për gazetën. “Kemi shumë vështirësi dhe pak mbështetje. Na mungon baza materiale dhe po ashtu, trafiku është shumë i rënduar duke na bërë që të zgjedhim rrugë jo shumë me lëvizje. I përkas një periudhe të artë të çiklizmit shkodran të emrave të Tafilëve, Sykjes, Muriqit etj dhe kuptohet që është e vështirë të rikthehet ajo periudhë megjithatë po mundohemi të bëjmë diçka të mirë”- ka thënë ai.Pavarësisht këtyre vështirësive, falë edhe mbështetjes së ish-sportistëve të tjerë të Vllaznisë por edhe të dashamirësve të ndryshëm, baza materiale ka filluar të kompletohet. Njëkohësisht po afrohen edhe çiklistë të rinj dhe kanë filluar të spikasin edhe emrat e parë të çiklistëve të perspektivës. “E kam marrë ekipin pa asnjë biçikletë ndërsa sot kam kompletuar 6 të tilla, falë edhe ndihmës së Leonard Kolës, një ish- çiklist i njohur i Vllaznisë. Po ashtu më ka ndihmuar edhe firma B52 dhe shpresoj që në të ardhmen të kemi të tjerë donatorë sepse kanë filluar të spikasin edhe emrat e parë të sportistëve të perspektivës si Bruno Kola dhe Riad Ferhati që premtojnë shumë për të ardhmen”- ka thënë trajneri Hoxha.Pavarësisht dëshirës për ta ringritur sërish çiklizmin në nivele të larta, kjo duket shumë e vështirë sepse Vllaznia ka bërë historinë e këtij sporti. Edhe për këtë, ky sport nuk duhet lënë kurrsesi të shkatërrohet.
Gjergj KOLA