Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi, vijon të jetë shumë afër Vllaznisë. Ajo dje ka qenë së bashku me donatorin Xhaferi në hollin e stadiumit, ku pas ndeshjes ka kërkuar, pse jo, që t’u thoshte dy fjalë gjyqtarëve të takimit, e kryesisht kryesorit Kridens Meta.

“Të na thonë nëse duhet që të luajmë futboll. Më mirë të merremi me volejboll”, thekson me ironi kryebashkiakja para arbitrave të ndeshjes.

“Nuk ishte gjykim ky që na bënë sot (dje). Edhe në Durrës bënë po të njëjtën gjë. Më mirë ta na thonë e ta lëmë krejt këtë punë. Ky nuk ishte gjykim, madje s’kishte lidhje me gjykimin.

Ne bëmë protestë për gjykimin kur fituam dhe tani e meriton që të bëjmë një gjë të tillë, pasi ndikoi në rezultat”, u shpreh për të pranishmit në hollin e stadiumit kryebashkiakja Voltana Ademi, e cila shikohet që tani është më afër ekipit të futbollit.