Lionel Messi përjetoi një nga poshtërimet më të mëdha në karrierën e tij mbrëmë në Riad, teksa Inter Miami i tij u mund me rezultat të thellë 6-0 nga Al-Nassr i rivalit të përjetshëm, Cristiano Ronaldos.

Messi e nisi ndeshjen nga bankina, dhe në fund të ndeshjes trajneri Gerardo Martino bëri atë që shumë e konsideruan si një lëvizje të panevojshme dhe dërgoi argjentinasin në fushë në vend të Leonardo Campana.

Ndeshja ishte në minutën e 84-të me rezultatin tashmë 6-0 dhe Messi pas inkuadrimit u provokua nga një sheik që ndodhej në tribunën zyrtare të Kingdom Arena.Ishte sheiku Turki AbdulMuhsen, i cili po bënte gjeste me duar duke treguar numrin 6 kur Messi hyri në lojë.

Sheikh Turki punon si këshilltar në Oborrin Mbretëror Saudit dhe është kryetari aktual i Autoritetit të Argëtimit në Arabinë Saudite.

Kujtojmë se ndeshja e mbrëmshme mes Inter Miami dhe Al-Nassr duhej të ishte “vallja e fundit” e Messit dhe Ronaldos, por spektakli dështoi për shkak të dëmtimit të portugezit, i cili nuk ishte fare në skuadër, ndërsa Messi e nisi ndeshjen nga bankina. /Telegrafi/