Pippo Inzaghi është me siguri një prej lojtarëve më oportunistë në historinë e futbollit. Nuk shihej me sy, por bënte gola pa fund… Dikur Sir Alex Ferguson ka thënë për të se ka lindur në pozicion jashtë loje, sepse për vite e vite ka “torturuar” gjyqtarët anësorë duke qëndruar në fije të perit. i mjaftonte vetëm një milimetër dhe të bënte gjëmën…

Në karrierën e tij ka shënuar më shumë se 300 gola në pothuajse 700 ndeshje, mes tyre me Juven, Milanin dhe kombëtaren italiane. Një numër 9 tipik, që mbase nuk shënonte golin e bukur dhe të vështirë, por atë të rëndësishmin, që sillte fitoren.

Shpesh me të në fushë mund të thuhej se luaje me 10 vetë, por e nisje ndeshjen 1-0.

“Ai nuk di të luajë fare futboll, thjesht gjendet në pozicionin e duhur”, pati thënë për të Johan Cruyff.

“Inzaghi nuk është në gjendje të driblojë as një karrige”, ka deklaruar për të ish-drejtori sportiv i Real Madrid Jorge Valdano.

Ndërsa kur u grumbullua për herë të parë në kombëtare, në vitin 1997, të tjerët u befasuan sepse nuk kishte fare aftësi teknike. Me Italinë do të shënonte 25 gola në 57 ndeshje, duke qenë edhe pjesë e skuadrës kampione të botës në vitin 2006.

Filippo Inzaghi lindi në Piacenza, sigurisht “offside”, në 9 gusht 1973. Karriera e tij nisi në vendlindje e më pas te AlbinoLeffe e Verona. Te Piacenza realizoi 15 gola në 37 ndeshje. Menjëherë Parma u hodh në sulm për ta marrë, por aty kishte shokë skuadre Hristo Stoichkov dhe Gianfranco Zola, të cilët e lanë në hije…

Vetëm dy gola në gjithë sezonin, por nuk u dorëzua. Iu deshën gjashtë vite në futbollin profesionist që më në fund të shpërthente. Tek Atalanta do të shpallej golashënuesi më i mirë i Serie A, me 24 gola në 33 takime.

Të gjithë filluan ta pëlqenin, por “Zonja e Vjetër” e joshi më shumë. Në pesë vitet që luajti në Torino, shënoi gjithmonë mbi 20 gola në sezon, duke luajtur përkrah yjeve si Del Piero dhe Zidane. Fitoi një kampionat, Superkupën dhe Kupën Intertoto.

Në vitin 2001 Juventus bleu kampionin e ri të Europës, David Trezeguet dhe për Inzaghin nuk kishte më vend. Nuk e mendoi dy herë Milani, që përfitoi duke krijuar me të dhe Andriy Shevchenkon, një prej dysheve më efektive të sulmit.

Me “Djallin” SuperPippo fitoi dy Champions League, dy Superkupa të Europës, një Botëror Klubesh dhe Kupën e Italisë. Dy golat e tij në finalen e Athinës kundër Liverpool në vitin 2007 ishin edhe maja më e lartë e karrierës së tij fantastike.

Champions ishte edhe kompeticioni i tij i preferuar, ku deri para daljes në skenë të “alienëve” Messi e Ronaldo, mbante vendin e golashënuesit të dytë më të mirë të kompeticionit, me 70 gola, duke u renditur vetëm pas Gerd Muller.

Një karrierë aspak modeste, për dikë që nuk driblon dot një karrige…/EDS/