Sulmuesi Ildi Gruda ka munguar në dy miqësoret që Vllaznia zhvilloi kundër Laçit dhe Besëlidhjes. Lojtari mësohet se ka pasur probleme fizike javën e fundit dhe nuk është stërvitur me grupin, por sipas asaj që konfirmoi trajneri Qatip Osmani, pritet që të jetë i gatshëm ndaj Kukësit.

Sot ekipi i është rikthyer i plotë stërvitje, por Gruda sërish nuk është stërvitur me grupin, ndonëse ka qenë i pranishëm në fushën sportive “Reshit Rusi”. Kjo e vë në dyshim aktivizimin e tij të dielën.

Gjithsesi, forma e Grudës do të shikohet në vazhdimësi dhe deri në fundjavë, kur edhe luhet ndeshja e javës së 19-të në Shkodër, stafi do të jetë më i qartë për sulmuesin e krahut, i cili e mbylli vitin 2023 me një tripletë në portën e Skënderbeut, ndërsa deri më tani ka shënuar 5 gola.

Mungesa të sigurta ndaj Kukësit për trajnerin Osmani do të jenë Esin Hakaj dhe Marko Juriç. I pari është i pezulluar nga Komisioni i Disiplinës, ndërsa kroati ka plotësuar numrin katër të kartonëve të verdhë.