Trajneri i Partizanit, Ilir Daja ka folur në prag të sfidës me Laçin. Të kuqtë luajnë nesër në 16:00 në transfertë, me sfidën që vlen për javën e 30 të Superligës.

“Si fitohet ndaj Laçit? Pavarësisht se është transfertë e vështirë, fushë e nxehtë brenda rregullave, ka dyluftime të forta. Duhet të luajmë si në Kupë, kur drejtuam lojën. Do jetë e vetmja mënyrë për të shkuar të fitorja, pa humbur ekuilibrat në lojë.

Nëse do flasim për të njëjtën mënyrë loje, do të thotë të jemi grup në të dy fazat e lojës. Nuk do bënim gjënë e duhur nëse ngarkesën ia kalojmë një reparti. Nëse ngarkesën më të madhe e merr mesfusha, do të thotë që ekipi nuk do të ketë bashkëpunimin e duhur. Duhet të mendojmë të jemi të gjithë bashkë edhe në fazën e mbrojtjes, edhe në fazën e sulmit.

Asnjë fitore me Laçin? Ashtu siç kemi pasur ne vështirësi, ashtu ka pasur edhe Laçi vështirësi me ne. Kanë fituar vetëm një ndeshje më 30 dhjetor, kur nuk është luajtur asnjëherë në kampionat. Do të thoja që janë dy ekipe që kanë mundësi të fitojnë dhe kemi humbur vetëm një herë, pavarësisht se loja ka qenë me episode dhe mund të fitonim edhe ne. Përveç ndeshjes së fundit që të gjithë e panë se çfarë u bë.

Finale? Kemi biseduar me ekipin dhe kemi thënë se tre fazat e para kanë qenë një maratonë për ne, për shkak edhe të ngjeshjes së ndeshjeve. Fazën e fundit e kemi cilësuar një vrapim me stafeta. Kemi hequr dy nga stafetat dhe shkojmë në Laç për tre pikët. Do jetë e vështirë dhe duhet të djersihem shumë për to. Objektivi ynë i vetëm është marrja e fitores”.

Na gëzon fakti që kanë shënuar tre sulmuesit në ndeshjet e fundit. Jemi ekipi me më shumë gola, por ka pasur një shpërndarje në lojtarë të ndryshëm. Na vjen mirë që ka funksionuar edhe Stenio Junior, pavarësisht se nuk ka luajtur në pozicionin e tij natyral. Po i afrohemi fundit dhe nuk duhet të ndryshojmë shumë. Ekipi fitues duhet të jetë edhe në vazhdimësi.

Çfarë na tremb? Ka disa gjëra, por në nivel paragjykimi unë nuk mund t’i shpreh. Nuk dua të futem në atë nivel. Ajo që duhet të na trembë dhe të na japë forcë është potenciali që ka grupi. Futbollistët duhet të bëjnë të njëjtën gjë edhe në këto javë, në mënyrë që të shkojmë drejt objektivave.

Akuzat e Laçit? Nuk kam pse të fokusohem tek deklaratat. I kam kërkuar ekipit të përqendrohet vetëm te puna jonë dhe jo te ato që thuhen për ne. Natyrshëm kemi qenë nga fillimi lart dhe asnjë nuk është marrë. Pas ndeshjes me Kukësin kam dëgjuar edhe unë, pasi e thashë nuk jam i interesuar çfarë mendojnë të tjerët. Gjithsesi pema me kokrra gjuhet me gurë. Besoj që ne duhet të anashkalojmë ccdo deklaratë, por meqë kanë dalë pas ndeshjes me Kukësin, duhet të kujtojmë që të gjitha i kemi fituar me ta. E kemi bërë edhe me gola. Nuk duhet të shpërqendrohemi, por ta kemi mendjen te ndeshja e radhës.

Humbja e mundshme në Laç? Futbolli i pranon të tria rezultatet, por nuk shkojmë me idenë se do të humbim në Laç. Do tentojmë tre pikët atje. Është ndeshja a radhës, që duhet fituar. Ka edhe disa javë, por duhet të gjejmë forca dhe mos ta çojmë në mend humbjen, pavarësisht se dihet që është ndeshje e vështirë.

Fitorja e Tiranës me Vllazninë? Ne duhet të bëjmë detyrën tonë. Nëse nuk e bëjmë, atëherë nuk na intereson si dalin rezultatet. E rëndësishme është të bëjmë pjesën tonë, atë qe duhet, për të parë më pas se si dalin ndeshjet e tjera këtë javë.

Rama i politikës po fiton, a do fitojë edhe ai i sportit? Shpresojmë që Rama ynë të fitojë, pasi sporti është apolitik. Ne nuk jemi këtu për të mbështetur ndonjë parti, Duam të gjithë bashkë, me në krye Ramën tonë, të fitojmë këtë kampionat, pasi sa kam dëgjuar ai tjetri duket sikur i ka punët në rregull”, tha Daja.