Tifozët shkodranë kanë përshëndetur dhe uruar ekipin e Vllaznisë së femrave me rastin e kualifikimit të tyre për në turin e dytë të Ligës së Kampioneve të Europës.

Përpara fillimit të ndeshjes Vllaznia- Laçi, të gjitha vajzat e ekipit të shoqëruar edhe nga trajnerët Nikolin Leka e Arben Parmeza, kanë zbritur në fushën e stadiumit “Loro Boriçi” dhe kanë marrë duartrokitjet e tifozëve.

Siç dihet, ky ekip tashmë është kualifikuar për në turin e dytë të këtij kompeticioni të rëndësishëm europian dhe do të luajë pikërisht në këtë stadium më 11 shtator ndaj ekipit danez Fortuna Hjorring.

Kampionia e Shqipërisë ka qenë pjesmarrëse në grupin 10 në turin e parë dhe zuri vendin e parë duke sfiduar ekipet kampione të Lituanisë, Irlandës dhe Maltës, në ndeshjet e zhvilluara në Lituani në datat 7-13 gusht.

Një kualifikim i tillë përbën një sukses historik për futbollin e femrave në Shqipëri dhe Vllaznia tashmë e sheh veten në mes 32 ekipeve më të mira të Europës.
www.shkodrasport.com