Ilir Nallbani, kosovari i mesfushës shkodrane, ka analizuar humbjen me Luftëtarin dhe shprehur besimin e plotë se ekipi që ai bën pjesë ka forca për të arritur më të mirën me Apoloninë. Për kosovarin humbja me Luftëtarin nuk duhet marrë si fund i gjithçkaje që ka lidhje me objektivat e klubit, por duhet harruar sa më shpejt që të jetë e mundur, por më parë pasi të jenë nxjerrë mirë mësimet prej saj. “Natyrisht që ishte një humbje, e cila na i prishi jo pak planet tona në këtë start. Ishim përgatitur që të merrnim një rezultat pozitiv në këtë përballje.
Mirëpo, ashtu siç edhe po thuhet, ne nuk arritëm që të bënim në asnjë moment të këtij takimi lojën tonë. Megjithatë, ashtu siç e ka theksuar tekniku, tani duhet të nxjerrim mësimet prej asaj humbjeje dhe të punojmë fort për ndeshjen e radhës me Apoloninë”, – u shpreh fillimisht Nallbani.
Apolonia “Nuk ka asnjë takim të lehtë. I tillë do të jetë edhe ai me Apoloninë. Vijmë pas një transferte të vështirë dhe shkojmë në një tjetër akoma edhe më të vështirë, siç është ajo e Fierit. Ashtu si Luftëtari, edhe Apolonia do të kërkojnë të marrë më të mirën në këtë përballje, por ne nuk duhet që të gabojmë dhe të përsëritim lojën që bëmë me Luftëtarin. Duhet të tregojmë një tjetër grintë në këtë përballje dhe të japim maksimumin tonë. Unë kam mendimin se kjo nuk do të na mungojë në takimin me Apoloninë. Unë kam mendimin se me ndihmën e Zotit do të arrijmë që të marrim një 3-pikësh në këtë takim dhe të kthehemi bindshëm te rezultatet pozitive. Atmosfera, pavarësisht se nuk është ajo që mbizotëroi pas dy takimeve të para, përsëri mund t’ju them se është pozitive. Gjithashtu te grupi ka një besim të madh për të arritur një fitore në Fier”, – ka vijuar mesfushori kosovar.
Objektivi Për kosovarin humbja me Luftëtarin nuk është tregues se Vllaznia po humbet shanset për të qenë në Kupat e Europës. Për Nallbanin ekipi, tek i cili ai bën pjesë, është pretendet për të qenë në katër më të mirët e këtij sezonit, pavarësisht asaj humbjeje me Luftëtarin. “Nuk duhet thënë se humbëm një takim dhe tani për ne Europa është larg. Pikët që skuadra ka në tabelën e klasifikimit e tregojnë qartë se nga vendi i dytë e deri tek i teti, ku jemi ne, janë vetëm gjashtë pikë diferencë. Prandaj unë e shikoj të hapur deri në fund përfshirjen tonë në mes skuadrave më të mira të Superiores. Jam i mendimit se skuadra jonë, me besimin dhe optimizmin që po përcillet, do të jetë një nga katër më të mirat e këtij sezoni”, – ka mbyllur deklarimin e tij kosovari i mesfushës shkodrane. Kuqeblutë u mundën javën e kaluar në Gjirokastër dhe tani i pret sërish një transfertë tjetër, ku do të udhëtojnë drejt Fierit për t’u përballur me Apoloninë vendëse.
Admir Uruçi