Sot ka qenë dita e tretë e turneut ndërkombëtar që është duke u zhvilluar në Budva të Malit të Zi me pjesmarrjen e 6 ekipeve. Në këtë ditë, kampionia e Shqipërisë është ndeshur me kombëtaren e Malit të Zi. Trajneri Dervish Haxhiosmanoviç e ka nisur ndeshjen me këtë formacion: Kokiçi, Franja, Lazervski, Govori, Djegsina, Lazri, Berisha, Bajrakurtaj, Doçi, Tula dhe Proto. Ndeshja ka qenë shumë e bukur dhe pjesa e parë është shoqëruar me një lojë të barabartë të të dy skuadrave. Rezultati i 45 minutave të para ka qenë i barabartë 0-0. Në pjesën e dytë, Ada ka kryer edhe disa zëvendësime teksa në lojë janë futur edhe Gruda, Shpuza, Sufaj e Bajrakurtaj. Edhe në këtë pjesë Ada ka luajtur përgjithësisht mirë por është ndëshkuar nga një gol i vetëm i ekipit kombëtar malazez, gol ky që do ishte i vetmi i kësaj ndeshje. Kombëtarja e vendit fqinj ka fituar me rezultatin 1-0 këtë ndeshje. Duhet theksuar fakti se për Adën kjo ka qenë e katërta ndeshje në katër ditë rradhazi sepse të shtunën ka luajtur për kampionatin shqiptar me Kinostudion, të dielën me kampionen e Bosnjës, të marten me kampionen e Sllovenisë dhe sot me kombëtaren e Malit të Zi. Tek vajzat sigurisht që janë vërejtur shenja lodhje edhe për shkak të numrit të vogël të vajzave që stafi drejtues ka në dispozicion. Për turneun që është duke u zhvilluar në Budva, kanë mbetur edhe dy ndeshje për Adën teksa nesër do luajë me ekipin nënkampion të Rumanisë ndërsa të enjten do ketë ndeshjen e fundit, me ekipin më të mirë, kampionen e Rusisë, pikërisht Rossyankën që është ndër tetë më të mirat e Europës. Për presidentin e Adës Lazër Matija, pjesmarrja në këtë aktivitet ka vlejtur shumë. Për gazetën online www.shkodrasport.com ai do të shprehej: “Natyrisht ka qenë një sakrificë financiare për mua ta grumbulloj skuadrën për 5 ditë me rradhë në Ulqin por e dëshironim një pjesmarrje në një turne të tillë si ky që po marrim pjesë, duke u ndeshur me skuadra shumë të mira nga të cilat kemi se çfarë të mësojmë. Në kampionatin shqiptar ka shumë pak ndeshje që ia vlejnë prandaj dhe duhen ndeshje të tilla për të rritur formën sportive. Jemi të kënaqur me të tre ndeshjet që kemi zhvilluar deri tani pasi Ada është paraqitur shumë denjësisht pavarësisht moshës së re të vajzave tona”.

Gjergj KOLA

Ekipi i Ades para ndeshjes se sotme me kombetaren e Malit te Zi