Pasioni për futbollin duket se është i madh tek ai. E ushtron me shumë dëshirë dhe normalisht që ka edhe shumë ëndrra për të realizuar. Megjithatë, i duhet të punojë fort dhe poashtu shpreson edhe të ketë fat, që në fakt shpesh herë është i nevojshëm.

E kemi fjalën për Arsed Hoxhajn, i cili është një nga lojtarët më të mirë të ekipit Shkodra U-17. Në një intervistë për “Shkodra Sport”, ai shprehet se ky sezon me këtë ekip, ka shkuar më mirë nga sa e priste.

Hoxhaj tha se është një ndër sezonet e tij më të mira deri më tani, ndërsa ka folur edhe për synimet e tij për të ardhmen.

“Ky sezon me ekipin e Shkodra U-17 po shkon drejt realizimit të objektivave, pasi ne arritëm të sigurojmë qëndrimin në Superiore. Ky ishte edhe pikësynimi jonë, në fillim të sezonit.

Nga ana personale të them të drejtën, ka shkuar më mirë se sa prisja, pasi arrita të shënoj 17-gola dhe mund të them me plot gojë, që është një ndër sezonet e mia më të mira në karrierë deri tani.

Ecuria me Shkodra U-17 është diçka, që më bën të ndjehem shumë mirë, pasi është puna e shumë viteve, që po shpërblehet dhe për këtë i jam mirënjohës trajnerëve dhe shokëve të ekipit, pasi pa ata kjo nuk do të ishte e mundur.

Për këtë vit, pengu më i madh është që pas fazës së dytë, u renditëm të katërtit, por për disa gabime tonat në fazën e tretë, nuk arritëm ta çonim deri në fund objektivin e zonës së play-off.

Jam shumë i kënaqur me veten, pasi arrita objektivin personal, që kisha në fillim të sezonit shënimin e 15 golave dhe arrita edhe ta tejkaloj këtë numër golash. Objektivi im personal është që një ditë të luaj jashtë vendit dhe pse jo një ditë të përfaqësoj Kombëtaren e Shqipërisë.

Idhulli im i fëmijërisë është Iniesta. Një mesfushor, i cili ishte i kompletuar në të gjitha aspektet dhe që arriti të fitonte gjithcka. Një lojtar, që sa herë kishte topin, ishte e vështirë ta parashikoje çfarë do bënte. Si fëmijë, u rrita duke parë ndeshjet e tij dhe ai edhe sot e kësaj dite mbetet idhulli im”,-mbylli prononcimin e tij, futbollisti i Shkodra U-17, Arsed Hoxhaj.
Maringlen ZHIVANI