Rezultatet e saj në arenën ndërkombëtare e kanë bërë atë tashmë të njohur. Vendi i dytë dhe i tretë në Europë që ka arritur, kanë bërë që Elsidita Selaj të jetë në qendër të vëmendjes. Madje, ditët e fundit edhe media të huaja i kanë bërë një reportazh për mënyrën si stërvitet, mbështetjen dhe çdo gjë që ka të bëjë me këtë boksiere.

Elda, kështu e thërrasin miqtë por edhe trajneri i saj Jetmir Kuçi, ka pranuar me kënaqësi të flasë edhe për “Shkodra Sport”. Gazetarja Fabiola Caka në intervistën e zhvilluar me këtë boksiere, ka arritur të nxjerrë nga goja e saj edhe objektivat për të ardhmen.

– Elsidita, a ka qenë e vështirë për ju të merreni me këtë lloj sporti?

Normalisht, të marrësh përsipër të bësh diçka për herë të parë, sidomos në Shqipëri pasi mentaliteti ndryshe nga vendet e tjera është shumë i mbyllur, kërkon guxim. Guxova nga pasioni i madh që kisha për këtë lloj sporti dhe besoj fort se çdo gjë që bëhet me pasion dhe vullnet,do ketë me patjetër sukses.


– Si janë kushtet në të cilat ju stërviteni dhe punoni?

-Për kushtet në të cilat unë stërvitem sot, duhet të falenderoj sponsorin z.Luan Heta, pasi më ka ofruar ambjentet e palestrës së tij për trajnim. Ndërsa për sa i përket pjesës së kujdesit mjekësor duhen përmirësime pasi kjo ndikon në ecurinë e sportistit. Për të pasur arritje dhe rezultate të mira, sigurisht shëndeti është baza dhe duhet të ketë kujdesin maksimal.

– Nënkampione Europe, a është ky pozicioni i duhur për ju?

Ky titull që vjen nga një eksperiencë ndryshe, më ka motivuar në lidhje me vazhdimësinë time dhe për këtë jam shumë e lumtur, por kërkoj akoma më shumë nga vetja dhe shpresoj që në të ardhmen të arrij akoma më lart.

– Cilën nga ndeshjet e karrierës suaj do të veçonit dhe pse?

-Do të veçoja ndeshjen ne Kampionatin Europian të 22-vjeçareve ne Rusi kundër boksieres së ekipit bjellorus. Ishte ndeshje që u mbyll me nock-out dhe isha vetëm 19 vjeç, me një eksperiencë shumë të vogël ndeshjesh në ring. Ishte po kjo ndeshje që më afroi në zonën e medaljeve dhe u shpalla e treta në Europë, pra dy herë medaliste europiane.

– Cili është objektivi i rradhës i Elsiditës?

-Besoj se këtë vit synimi i gjithë sportistëve është Olimpiada. Kampionati Botëror zhvillohet në muajin maj në kryqeytetin e Francës, Paris, ku shpresoj të siguroj kualifikimin për në Olimpiadë. Normalisht do stërvitem intensivisht që në të ardhmen të kem sa më shumë sukses dhe t’i plotësoj objektivat që unë dhe tranjeri Jetmir Kuçi i kemi vendosur vetes.
Intervistoi: Fabiola CAKA