Vendimi i Federatës Shqiptare të Futbollit për t’i shtyrë të gjitha ndeshjet e kampionateve deri fundjavën e ardhshme, duket se i ka shërbyer për mirë ekipit të Vllaznisë. Kjo sepse do t’i japë mundësinë stafit teknik për ta përgatitur më mirë ndeshjen e rradhës dhe po ashtu, do të jetë një mundësi më shumë edhe për rikuperimin e disa lojtarëve të dëmtuar të cilët ishin në pikëpytje për të luajtur, nëse ndeshja do të ishte të mërkurën.

Mbrojtësi Mevlan Adili dhe mesfushori Herald Marku kanë ndjerë shqetësime ditët e fundit dhe për rrjedhojë nuk luajtën ndaj Apolonisë dhe shpresat janë që të rikuperohen deri në fundjavë.

Kjo gjë do të ishte e domosdoshme kur dihet që Vllaznia do të ketë tre mungesa të sigurta për këtë takim, pikërisht ato të Imamit, Isaevskit dhe Imerit të cilët janë të pezulluar me kartona.

Ndërkohë, burime pranë Federatës Shqiptare të Futbollit bëjnë të ditur se në fundjavë do të luhen ndeshjet e javës së 20-të të kampionatit të Kategorisë Superiore.

Pavarësisht mungesave dhe kushteve të vështira atmosferike në të cilat mund të zhvillohet kjo ndeshje, objektivi i skuadrës shkodrane do të jetë një dhe i vetëm: Fitorja. Kuptohet që kjo nuk do të jetë e lehtë sepse në takimet e fundit performanca e saj nuk ka qenë ajo e duhura, por të gjithë futbollistët dhe stafi teknik janë të vetëdijshëm se nuk duhet gabuar.

Ndjekëset e Vllaznisë në tabelën e renditjes nuk po gabojnë dhe presin që kuqeblutë të lënë sërish pikë, prandaj dhe tashmë vetë ata duhet të jenë më të ndërgjegjshëm për përgjegjësinë që kanë mbi vete, për ta mbajtur sa më gjatë vendin e parë në tabelën e renditjes./SHKODRA-SPORT.COM/