Pas shumë vitesh, më në fund Bashkia Shkodër është ulur të hënën në tavolinë me të gjithë përfaqësuesit e shumësportëshit të Vllaznisë për të diskutuar për të ardhmen. Diçka e tillë nuk kishte ndodhur në kohët e fundit dhe kjo mund të konsiderohet si diçka shumë pozitive.

Konkluzioni i të gjithë mbledhjes së kryebashkiakut Benet Beci me përfaqësuesit e 13-shoqatave, ka qenë vazhdimi i projektit “Reload” për mbështetjen e këtyre sporteve sërish nga ky institucion me financa. I pranishëm në takimin që u zhvillua në zyrën e Kryetarit të Bashkisë së Shkodrës, ishte edhe presidenti i Vllaznisë në volejboll për femra, Florian Zekja, i cili i pyetur në lidhje me një tematikë të tillë tha se ishte kundër idesë së hedhur kohët e fundit për rikthimin nga Shoqata në Sport Klub.

Në një intervistë të dhënë për “Shkodra Sport”, Zekja u shpreh se një gjë e tillë do të ishte kthim pas në kohë, ndërsa theksoi se vendimi i marrë nga Bashkia Shkodër dy vite më parë për shkrirjen e klubit shumësportësh dhe krijimin e shoqatave sportive të çdo sporti, ka qenë zgjidhja më e mirë e mundshme dhe prandaj nuk ka pse që tashmë kjo ide të bjerë poshtë dhe çdo gjë të rikthehet nga fillimi. Megjithatë për më tepër, më poshtë mund të lexoni edhe intervistën e tij të dhënë për gazetën “Shkodra Sport” me gazetarin Maringlen Zhivani.


-President, patët së fundmi një takim me Kryetarin e Bashkisë, z. Beci, si shkoi ky takim në vija të përgjithshme?

Përshëndetje “Shkodra Sport”. Po, e vërtetë që së fundmi patëm një takim me Kryetarin e Bashkisë, z. Benet Beci, në përgjigje të kërkesës tonë të datës 22-korrik. Ishte një përgjigje shumë e shpejtë për vetë kohën e shkurtër për t’u organizuar, sepse siç e dini kontratat e shoqatave me Bashkinë e Shkodrës kanë mbaruar me datë 30-qershor.

-Cili ishte reagimi i Bashkisë ndaj jush si shoqata?

Ishte një takim shumë pozitiv në disa aspekte. Në rradhë të parë ndjehemi mirë, sepse është takimi i parë zyrtar i rëndësishëm i Kryetarit Beci me komunitetin shkodran dhe kjo tregon rëndësinë që mesa duket kjo Bashki do ketë për komunitetin sportiv. Në rradhë të dytë, u qartësua situata përsa i përket mënyrës së menaxhimit të sporteve në qytetin e Shkodrës. Pra, iu dha fund të gjitha zërave të pabazë se mund të kishim kthim mbrapa në menaxhim të shumësporteve nga një shoqatë e krijuar nga Bashkia.

Në rradhë të tretë ajo që kishte më shumë rëndësi, ishte përshpejtimi i përgatitjes së proçedurave për konkursin e rradhës për të menaxhuar sportet e qytetit të Shkodrës. U dha një afat i afërt që të paraqitej ndarja e fondeve nga Drejtoria e Kulturës dhe Sporteve në bazë të disiplinave, rezultateve dhe masivizimit. Pra, ditën e premte do kemi ndarjen e buxhetit prej 15-milionë lekë të reja për periudhën e gjashtëmujorit të dytë të vitit 2023. Normalisht që, në një të ardhme të afërt do të shihet mundësia për të bërë ndonjë shtesë buxheti, por për momentin buxheti është aprovuar dhe nuk ka hapësirë për modifikime.

-Ju si shoqatë e volejbollit të femrave keni mbetur i kënaqur nga bashkëpunimi me Bashkinë më parë?

Unë si përfaqësues i shoqatës e volejbollit të femrave, por edhe nga opinioni i shumicës së shoqatave të tjera, mund të them se bashkëpunimi ka qenë pozitiv, pavarësisht se kemi të bëjmë me një mënyrë të re të menaxhimit të shumësporteve në Shkodër. Jam i mendimit se Drejtoria e Kulturës dhe Sporteve ka bërë një punë të mirë me ato mjete dhe eksperiencë që pati këto dy vite.

-Çfarë premtoni në rast se do të zgjidheni ju president i Vllaznisë?

Në rradhë të parë, ne si shoqatë duhet të përgatitemi që të paraqesim në konkurrim një projekt më ambicioz se i pari. Të shfrytëzojmë eksperiencën e këtyre dy viteve me ulje dhe ngritje, suksese dhe ndonjëherë edhe me hapa mbrapa. Tashmë e dimë se çfarë kërkojmë dhe shumë gjëra të panjohura, si për modelin e menaxhimit dhe për arritjen e objektivave, i kemi më të qarta. Premtimet dhe objektivat janë po ato të para dy viteve, pra masivizimi i sportit të volejbollit, konsolidimi i skuadrës së të rriturave dhe ekipeve zinxhirë dhe çuarja e emrit të Vllaznisë aty ku e meriton. Pra, të jetë një ndër ekipet elitë të vendit.


-Cila pritet të jetë e ardhmja e Vllaznisë në volejboll për femra pak a shumë për sezonin e ri?

E ardhmja e Vllaznisë do të jetë vazhdimësia e asaj pune të mirë që kemi bërë deri tani dhe çuarja në një stad më të lartë cilësor të ekipit të parë, si edhe të ekipeve zinxhirë. Boshti i skuadrës do të jetë padiskutim pankina nën drejtimin e trajnerit Dorjan Tafa. Për sa i përket formacionit në fushë, do të jetë vazhdimi i kampionatit që sapo mbyllëm me kapitenen Zhivani dhe volejbollisteve të tjera të talentuara si Beci, Malaj, Gjyshja, Erkoçi etj. Këtij grupi shpresojmë t’i bashkohet edhe ndonjë volejbolliste profesioniste, si shkodrane apo nga kryeqyteti.

Gjithsesi, merkato sapo ka filluar dhe nuk mund të shprehem më shumë, sepse jemi në bisedime me disa volejbolliste të pozicioneve të ndryshme dhe nuk duam të influencojnë në vendimmarrjet e tyre. Në fund, pasi të kemi plotësuar skuadrën për fazën e parë, do mendojmë që tani për fazën e dytë dhe play-off. Shpresojmë të bëjmë më të mirën tonë.

-Faleminderit president Zekja dhe ju urojmë suksese!

Faleminderit ju “Shkodra Sport”
Maringlen ZHIVANI