Gledis Dibra ka lënë pas një karrierë të suksesshme si volejbollist, jo vetëm si ish-sportist i Vllaznisë, por edhe si një titullar me peshë me Erzenin, duke fituar edhe kampionatin me këtë ekip dhe duke marrë pjesë në kompeticionin e Champions League në volejboll, pa harruar këtu edhe sukseset me ekipin shkodran, ku ka dalë kampion për herë të parë në historinë e kësaj skuadre, por duke fituar edhe Kupën e Republikës apo edhe kupa të tjera.

Ndërkohë që, tashmë ai ka nisur një mision të ri, atë të trajningut. Dibra ka marrë detyrën e zv/trajnerit të skuadrës së Vllaznisë në volejboll për femra, duke nisur nga fillimi i këtij muaji.

Këtë detyrë, Gledis Dibra do ta kryejë duke pasur trajner të parë kolegun e tij, Besnik Lisha. Për trajnerin Lisha dhe kolegun e tij Dibra, përqëndrimi kryesor i punës së tyre do të jetë që të jenë pretendentët kryesor për këtë vit.

Në një intervistë për “Shkodra Sport”, zv/trajneri Dibra u shpreh se është një privilegj i madh për të që të jetë në këtë detyrë të re, ndërsa theksoi se deri më tani puna me Vllazninë e volejbollit të femrave ka shkuar për mrekulli.

“Detyra e re kënaqësi dhe vlerësim? Po shumë e vërtetë. Në fakt, është një privilegj për mua që të jem në këtë pozicion, aq më tepër kur ftesa vjen nga një ikonë e volejbollit siç është profesor Besnik Lisha.

Me profesor Besën unë kam pasur marrëdhënie të shkëlqyeshme edhe para se të na bashkojë kjo detyrë. Deri tani, çdo gjë shkon për mrekulli.Ekipin e njoh mirë, duke qenë se kam qenë vetë pjesë e fushës deri para pak muajsh. I kam ndjekur nga afër vajzat e ekipit. Me vajzat kam një marrëdhënie shumë të mirë, madje i falënderoj për mikëpritjen.

Synimet e Vllaznisë për sezonin e ri? Unë jam shumë optimist për skuadrën që kemi këtë vit. Besoj se jemi pretendent kryesor për këtë sezon.

E ardhmja në karrierën e trajningut? Të jesh në drejtimin e një ekipi dhe aq më tepër të një emri të madh siç është Vllaznia, mbart shumë përgjegjësi, por do mundohemi të gjithë bashkë që të bëjmë më të mirën. Ambiciet janë që të arrijmë objektivat që kemi, ndërsa për të tjerat ia lëmë kohës”,-mbylli prononcimin e tij për “Shkodra Sport”, zv/trajneri i Vllaznisë në volejboll për femra, Gledis Dibra.
Maringlen ZHIVANI