Zhgënjimi për humbjen ndaj Korabit është sërish i madh në kampin lezhjan, megjithatë me ardhjen e trajnerit Artan Bano në krye të kësaj skuadre gjërat sikur kanë marrë rrjedhë tjetër. Tashmë i gjithë fokusi është i përqendruar tek sfida e rradhës, ajo ndaj Turbinës e cila konsiderohet nga të gjithë si sfida e kthesës.

Po ashtu kanë ardhur edhe shumë lojtarë të tjerë dhe kualiteti i tyre pritet të sjellë edhe rezultatet e duhura për ta larguar Beslidhjen nga fundi i renditjes ku ndodhet aktualisht. Një rezultat pozitiv ndaj Turbinës do ta shkurtonte diferencën e pikëve me ndjekësit më të afërt të saj. Pyetja që lind është se a do mundet skuadra lezhjane të fitojë ndaj Turbinës?

Për të mësuar diçka më shumë në lidhje me situatën në skuadër, gazeta “Shkodra Sport” ka zhvilluar një intervistë të shkurtër me trajnerin Artan Bano pas stërvitjes së sotme, të cilën mund ta lexoni më poshtë:


– Profesor, ju keni pak ditë që keni marrë drejtimin e Besëlidhjes, si e shikoni gjendjen e saj?

Beselidhja ka shumë kualitete në rradhët e saj. Ka shumë futbollistë të ardhur me të cilët duhet punuar, duhet të përshtaten me grupin, duhet të asimilohen me pjesën tjetër të lojtarëve.


– Ku mendoni se qëndrojne dobësitë e ekipit?

Problemi i parë është ai psikologjik. Më pas duhet zgjidhur mënyra e lojës në grup. Duhet të bashkojmë grupet që të marrim rezultatet.

– Cili eshte reparti me problematik?

Të them të drejtën, me përjashtim të portës se ajo është e kompletuar, të tjerët kanë probleme. Duhet punuar shumë me lojtarët e ardhur së fundi. Brazilianët duhet të përshtaten në rradhë të parë me ambjentin, me ushqimin dhe pastaj me grupin. Unë shoh cilësi tek ata.

– Po dy afrikanët (nigerianët) e ardhur dje, të huazuar nga Kukësi, si ju duken? E plotësojnë si duhet ekipin?

Më pëlqyen në stërvitje, lojtarë të shpejtë dhe këmbëngulës në ushtrimet e kryera. Por unë shpresoj shumë tek ekipi.


– Ju keni thënë që Besëlidhja nuk bie nga kategoria, i mbaheni këtij premtimi?

Patjetër që po.


– Atehere ju urojmë suksese…

Faleminderit!
Intervistoi: Engjell Gjolaj