Ka luajtur që në fëmijëri te Vllaznia dhe kontributi i tij nuk do të harrohet, por Uendi Vecaj tashmë po luan për Skënderbeun e Korçës, aty ku edhe u shpall kampion i Kategorisë së Parë me këtë ekip për këtë sezon pak ditë më parë. Në fakt, ai pak vite më parë shihej si një premtim i madh, jo vetëm për futbollin shkodran, por edhe atë shqiptar.

Vecaj ka luajtur rregullisht me Kombëtaret e moshave dhe madje, fare i vogël që pa mbushur 17-vite ka debutuar me Vllazninë e madhe në elitë. Megjithatë, këtë vit futbollisti shkodran u rikthye në Shqipëri, pas një eksperiencë në Kosovë dhe te Skënderbeu i Korçës duket se gjeti veten, ku edhe u shpall kampion me këtë ekip.

Kështu, në një intervistë për “Shkodra Sport”, Vecaj ka folur për gjithçka, sezonin që sapo lamë pas dhe të ardhmen e tij. Sezonin që po lëmë pas e konsideron të suksesshëm dhe ai është i bindur se Skënderbeu në Superiore do të bëjë një kampionat të veçantë. Megjithatë, më poshtë mund të lexoni intervistën e tij për gazetarin Maringlen Zhivani.

-Uendi, tashmë Skënderbeu do të jetë sërish në Superiore falë edhe kontributit tuaj, sa e vështirë ishte për ju në këtë kampionat, ku gara ka qenë shumë e vështirë?

Në fakt, është e vërtetë kjo që thoni. Ishte shumë e vështirë, por ne ishim një skuadër që luanim në bllok, në grup dhe e disiplinuar nga ana taktike. Unë them se në këtë sezon gjithçka shkoi sipas detyrave të përcaktuara nga trajneri Ivan Gvozdenoviç. Ekipi i kishte mundësitë, pasi kishim futbollistë cilësorë dhe pastaj patjetër që erdhi edhe suksesi, për t’i dhënë kënaqësi atij qyteti si Korça që e do ekipin dhe kërkojnë të jenë gjithmonë të parët.


-Sivjet kontribuat për ngjitjen në Superiore të Skënderbeut, ndjeheni mirë për këtë gjë?

Normalisht që po. Unë dhashë maksimumin tim dhe bëra më të mirën për këtë skuadër. Edhe nëse do largohem tani nga Skënderbeu, unë kam shumë rrespekt për këtë ekip dhe qytetin e Korçës.

-Uendi, jeni i kënaqur me aktivizimin këtë sezon tek Skënderbeu?

Po të them të vërtetën kam ardhur në rritje, sepse në stërvitje punoj shumë. Normalisht që, ka qenë trajneri Gvozdenoviç ai që ka vendosur. Megjithatë, them se jam i kënaqur. Natyrisht që, do doja sërish minuta më tepër, por gjithsesi për sa kam luajtur, kam dhënë maksimumin tim dhe kam bërë më të mirën për këtë skuadër.


-Do të vijojë Vecaj të jetë pjesë e Skënderbeut edhe sezonin e ardhshëm? Nëse jo, ku do e shohim Vecajn në të ardhmen apo mbetet sekret akoma?

Një gjë të tillë nuk e di as vetë akoma. Kontrata ime me Skënderbeun ka përfunduar dhe të shohim në vazhdim se si do të shkojë. Megjithatë, kudo që të jem, do të kërkoj minuta për të luajtur. E them me plot sinqeritet një gjë të tillë, sepse kam nevojë të aktivizohem dhe të tregoj vlerat e mia, pasi kam shumë për të dhënë. Edhe nëse largohem nga Skënderbeu, nuk do iki me ndonjë keqardhje apo keqkuptim.


-Në një të ardhme të afërt, mund të riktheheni në Shkodër për të luajtur tek Vllaznia?

Rikthimi në Shkodër gjithmonë mund të jetë i hapur për mua. Një gjë të saktë nuk di ta them tani. Megjithatë, t’ia lëmë kohës një gjë të tillë.
Maringlen ZHIVANI