Nga Endri ÇINARI

Në javën e 35-të të Superiores, kryesfida e raundit do jetë Tirana-Vllaznia. Klasikja e Shqipërisë që edhe njëherë luhet për objektiva madhorë. Kjo sepse Vllaznia kërkon të mos lëshojë vendin e dytë në kampionat e ndërsa bardheblutë kapjen e zonës që të dërgon në “final 4”. Fakt që e bën shumë interesant takimin që do luhet nesër në kryeqytet.

Dy skuadrat kanë bërë historinë e futbollit tonë dhe ndër vite kanë dhuruar përballje shumë të bukura. Gjithashtu për dy ekipet kanë dhënë kontributin lojtarë dhe trajnerë të shquar të futbollit shqiptar. E po ashtu edhe nesër fatet kryqëzohen për disa individë që në shkuarën kanë dhënë kontributin për kundërshtarin.

Duke nisur tek Vllaznia, ku kapiteni Bekim Balaj ka qenë në të shkuarën pjesë e bardhebluve. Duke fituar madje edhe një kupë të Shqipërisë me kryeqytetasit. Për të vijuar me drejtorin sportiv të Vllaznisë, Tefik Osmani. I cili ka dhënë kontribut si futbollist e gjithashtu edhe si drejtues tek Tirana.

Në krahun tjetër janë dy futbollistët që deri sezonin e shkuar ishin pjesë e Vllaznisë. Mesfushori Fjoart Jonuzi dhe fantazisti Liridon Latifi. Të dy lojtarët janë aktivizuar suksesshëm tek kuqeblutë, duke arritur të koleksionojnë edhe trofe me shkodranët. Pra, një përballje me plot emocione pritet nesër në orën 16:00 mes Tiranës dhe Vllaznisë./www.shkodrasport.com/