Ish-kapiteni i Partizanit, Përparim Daiu, përmes një postimi në profilin e tij në “Facebook” evidenton se çfarë i duhet ekipit për të qenë të sigurt për titullin kampion. Ja komenti i Daiut:
“Deri tani, ecuria e ekipit ka qenë e mirë. Kjo, për meritë të trajnerit Skënder Gega, që ka futur dhe injektuar frymën e grupit, grintën, përgjegjësinë dhe vlerën që ka bluza e Partizanit, seriozitetin dhe rregullin dhe janë në rrugën e duhur për të vazhduar drejt titullit kampion.
Por, lindin disa pyetje: a janë kapacitetet e duhura në organikën e momentit që ka Partizani për të qenë i sigurt në rrugën e titullit? A kanë qenë ndeshjet me rivalët direkt një supremaci dhe diktat me loje nga Partizani? Unë mendoj se kanë qenë prezenca të mjaftueshme dhe që na gëzojnë.
Për momentin ndodhemi në krye, por që të jem i sinqertë dhe të kem besimin maksimal për t’u shpallur kampion, kam përsëri rezerva. Kjo, për vetë kontingjentin në reparte të veçanta, ku klubi duhet të ndërhyjë urgjentisht në merkaton e janarit. Kështu, atë ëndërr që prej vitesh e kemi, mund ta bëjmë realitet.
Kjo ëndërr e ka emrin ‘Partizani kampion’. Gjithmonë, citoj mendimin tim personal, nisur nga kjo ëndërr e kjo dëshirë. Sugjerimi im është për të afruar dy mbrojtës cilësorë krahu, që do të ishin një siguri më shumë në aspektin difensiv, por edhe një armë e fuqishme ofensive, në mbështetje të repartit të mesfushës, që është më cilësori (Trashi, Mala, Bardhi, Asani, Telushi etj.) dhe një bomber ‘race’.
Shpresoj që me profesionalizmin e drejtuesve të realizohen këto blerje, e kjo ëndërr të bëhet realitet për të gjithë dashamirësit, tifozët dhe ish-futbollistët e Partizanit. Shpresoj që në fund të sezonit futbollistik të festojmë të gjithë bashkë titullin kampion”.