Sulmuesi Sindrit Guri është lojtari më i rëndësishëm i momentit në kampionatin shqiptar.

24-vjeçari ka ardhur shumë në formë dhe po gjen golin ndeshje pas ndeshje. Rrjeta e shënuar kundër ekipit të Skënderbeut, duke i dhuruar fitoren skuadrës së tij me një goditje dënimi i shtangu të gjithë.

Sulmuesi shtatlartë shkodran tani shënon nga aksionet, nga ajri, por dhe me goditje dënimi.

Një armë e re për shkodranin, e cila nuk ishte zbuluar. Talenti i tij ka rënë sy të shumë menaxherëve që duan ta marrin nën administrim.

Drejtori Sportiv i Kukësit, Nderim Nexhipi, po punon nga njëri krah, por së fundmi në skenë është shfaqur dhe Shkumbin Qormemeti.

Eduasportin.com shkruajti para pak ditësh se futbollisti kishte patur një takim me të në Shkodër.

Burime të tjera pranë lojtarit bëjnë me dije për Eduasportin.com se një emër tjetër shumë i madh është futur për Sindrit Gurin.

Fjala është për ish-kapitenin e Kombëtares shqiptare, Altin Lalën. Ky i fundit bën rolin e menaxherit për shumë lojtarë, ndër më të përmendurit, Milot Rashica.

Ish-mesfushori i Shqipërisë ka patur kontakte prej kohësh me lojtarin dhe lajmet e fundit që e lidhin me Werder Bremen, e konfirmojnë diçka të tillë.

Një pistë tjetër e mundshme është dhe ajo e Vitesse-s. Ish-kapiteni i Kombëtares “i nderoi” ata me Rashicën dhe tani ka fituar besueshmërinë e drejtuesve holandezë.

Pasaporta italiane e Gurit e ndihmon shumë, pasi nuk cilësohet si ekstrakomunitar.

Pista e Vitesse-s është e vështirë, pasi holandezët janë ekipe që mundohen të shesin lojtarët e tyre nga Akademia dhe t’i marrin në moshë të re siç është rasti i Milot Rashicës.

Guri është 24 vjeç dhe mosha e tij e penalizon goxha. Nga krahu tjetër, Shkumbin Qormemeti po punon për pistën e Belgjikës, Kroacisë, Hungarisë dhe Austrisë pasi sipas këtij të fundit kampionati gjerman është shumë i fortë krahasuar me atë shqiptar dhe nuk ta përballojë. /EDS