Ka biseduar për disa minuta me lojtarët por nuk ka arritur dot t’i bindë ata për të ndryshuar mendje dhe administratori i Vllaznisë Suad Lici ndjehet i pafuqishëm për të bërë diçka ndryshe. Ai ka mbërritur sot në fushën e stërvitjes së ekipit dhe ka biseduar me futbollistët.
Propozimet e numrit 1 të klubit shkodran kanë qenë të qarta: Rroga e muajit shkurt do të dalë brenda dy javëve, rrogat e marsit dhe prillit janë “pagat e luftës” të akorduara nga FSHF, ndërkohë që kontratat e futbollistëve që përfundojnë më 31 maj, do të shtyhen deri më 30 korrik sipas të njëjtave kushteve që kanë në kontratë.
Lici po ashtu ka siguruar futbollistët joshkodranë se brenda pak ditësh do të zgjidhet problemi i ushqimit të tij sepse ka nisur procesi i tenderimit, e po ashtu do të zgjidhet edhe ai i qerave të shtëpive të tyre.
Administratori i Vllaznia ua ka bërë të qartë futbollistëve se ngërçi i moskalimit të rrogave ka mbetur tek Këshilli Bashkiak që nuk ka miratuar buxhetin e po ashtu edhe pasqyrat financiare të vitit 2018.
Këto shpjegime të dhëna prej tij, duket se nuk kanë bindur shumë futbollistët të cilët sot vendosën të bojkotojnë stërvitjen. Lici ua ka bërë të qartë se nuk ka dëshirë dhe forcë për t’i bërë të ndryshojnë mendim dhe po ashtu ua ka bërë të qartë se nëse nuk dëshirojnë shtyrjen e kontratave, janë të lirë të veprojnë siç duhet.
Vllaznia është e sigurtë se do ta mbyllë kampionatin, qoftë me lojtarët e ekipit B, apo dhe me ato të ekipit U19. Megjithatë ditën e nesërme do të mësohen më shumë gjëra në lidhje me këtë bojkot, teksa do shihet nëse ai do të vazhdojë apo jo.
© shkodrasport.com