Trajneri i Vllaznisë, Agim Canaj, e ka zhvendosur vëmendjen te takimi i radhës që do të zhvillojnë ndaj Kastriotit. Ai ka vlerësuar punën dhe për më tepër përpjekjet që po bëjnë të tijtë në këtë periudhë. Canaj beson se do të kthehen te fitorja. Në një intervistë për gazeten, numri një i pankinës kuqeblu ka folur për mungesën e madhe të Rajoviçit, që do ta vuajnë deri në fund të sezonit. Gjithashtu, i pyetur për merkaton, ai është përgjigjur se është ende herët për të folur, por megjithatë ka pohuar se duhet të shikohet sidomos aty ku skuadra ka nevojë.

Profesor, si duket situata para takimit me Kastriotin?
Mund të them se ndërprerja e kampionatit ka ndikuar pozitivisht te Vllaznia. I kemi kaluar ato momente që erdhën pas dy humbjeve me radhë dhe tashmë mund të them se skuadra është e plotë në të gjitha aspektet. Dihet mungesa e madhe që do të kemi, ajo e Rajoviçit, megjithatë dua të vlerësoj në maksimum punën që djemtë po zhvillojnë në këtë periudhë dhe karakterin e fortë që po tregojnë në seancat stërvitore.
Keni pasur pengesë shiun në këtë periudhë…
Është shumë e vërtetë që kushtet atmosferike nuk na kanë lënë ta bëjmë punën si duhet në fushë të madhe. Për këtë arsye e kemi zhvendosur stërvitjen në kalçeto, siç ishte rasti i sotëm (dje). Megjithatë, shpresoj që këto ditë që kanë mbetur deri në takimin me Kastriotin të përgatitemi si duhet në fushën e Shtojit, në mënyrë që të jemi të gatshëm për takimin e radhës.
Pritet kthesa për Vllazninë që në këtë përballje?
Natyrisht që ne besojmë se do të bëjmë kthesën. Nuk është një takim i lehtë ky i kësaj jave me Kastriotin, por mund të them se të gjithë ne presim të bëjmë autokritikë. Hapat falsë nuk na falen më si në takimet e fundit. Kësisoj do të jetë një përballje e vështirë. Sidoqoftë, nuk do të njohim asnjë rezultat tjetër veç tri pikëve.
Çfarë do të ndryshojë tekniku Canaj në këtë ndeshje?
Është herët të flitet për ndryshime, pasi do të shikohet deri në fund të javës. Megjithatë, nisur nga takimet e fundit, lëvizjet do të jenë në prapavijë.
Sa do ndikojë një mungesë si ajo e Rajoviçit për vazhdimësinë?
Rajoviç është një nga lojtarët shumë të mirë të Superiores shqiptare, të cilin pa dyshim çdo trajner do dëshironte ta kishte në përbërje. Dëmtimi ndikoi keq tek ai, por edhe tek ne. Tani do të jemi të detyruar ta vijojmë punën pa këtë futbollist. Nisur nga kjo, do shohim të gjejmë lojtarin e duhur për zëvendësues.
Kjo do të thotë se Vllaznisë i duhet një merkato e domosdoshme në janar…
Është ende herët për të thënë se Vllaznisë i duhet merkato. Megjithatë, nëse do na duhet të bëjmë lëvizjet e duhura në merkato, mund të them se drejtuesit e klubit do e realizojnë. Duhet të shohim që të bëjmë lëvizjet e duhura në këtë drejtim, me qëllim që të afrojmë lojtarë aty ku edhe na duhen. Ndoshta edhe në prapavijë, pasi në këtë repart problemet janë në çdo moment, siç ishte edhe ajo e Rajoviçit. Megjithatë ka ende kohë deri në janar.

Admir URUÇI