Jemi një skuadër për tit ull kampion”, – këto janë fjalët e para kur takon trajnerin e Vllaznisë në basketboll për meshkuj Bledar Gjeçaj. Në fakt, skuadra shkodrane i ka bërë një nisje mjaft të mirë kampionatit të ri që ka startuar prej tri javësh. Vllaznia ka marrë tri fitore në tri sfidat e para. Shkodranët kryesojnë së bashku me Kamza Basket me 6 pikë në grupin e tyre. Fillimisht Vllaznia mundi Elbasanin në Shkodër, me një fitore mjaft të thellë, por sigurisht takimi i fundit në kampionat përballë Tiranës tregoi se këtë sezon ekipi shkodran është pretendent serioz për titull. Suksesi në kryeqytet tregoi forcën e ekipit të Gjeçajt, që mundi Tiranën e Shehut. Edhe organika e skuadrës ka ndryshuar pas ardhjes së malazezit Gjokoviç, i cili ka sjellë me vete bashkëkombësin e tij nga Mali i Zi, Zharko Krivokapic. I pyetur për objektivat sezonalë, kreu i stolit shkodran nuk ka dyshime, duke theksuar: “Kemi bërë përforcimet e duhura. Kemi zhvilluar një fazë përgatitore shumë të mirë, si dhe kemi formuar një ekip që këtë sezon do të kërkojë trofeun. Natyrisht që nuk është një gjë e lehtë. Ne kemi qenë shumë pranë fitimit të titullit kampion, në sezonin e shkuar, por për fat të keq nuk arritëm të konkretizonim me sukses synonim që kishim. Shpresojmë që këtë vit ta bëjmë realitet ëndrrën për titull. Ekipi ka dëshirë për të fituar e po ashtu kemi motivimin e duhur. Por, nuk duhet të ngutemi dhe aq më pak të biem pre e entuziazmit. Objektivi ynë është që t’i marrim ndeshjet me radhë dhe gradualisht të arrijmë objektivat që kemi. Vllaznia ka ndoshta ekipin më të mirë të viteve të fundit dhe besojmë se kësaj here do t’ia dalim. Kemi mbështetjen e plotë të publikut dhe të gjithë bashkë them se do t’i dhurojmë Shkodrës diçka të bukur këtë sezon”, – ka deklaruar trajneri Gjeçaj. Më pas, tekniku i Vllaznisë ka analizuar edhe ndeshjen e radhës në kampionat, ku kryesuesit do të luajnë ndaj Universitetit Amerikan të Tiranës. Në Shkodër e quajnë një ndeshje të vështirë, por pa dyshim objektivi i vetëm është fitorja. “Vllaznia do të kërkojë që të vijojë rrugëtimin pozitiv që ka nisur, teksa kërkon të koleksionojë fitoren e katërt radhazi në këtë fillimkampionati. Skuadra po stërvitet fort dhe grupi i basketbollistëve është i gatshëm për përballjen e radhës. Sigurisht synojnë të vijojmë rrugëtimin tonë me një tjetër fitore”,- tha Gjeçaj. Në këtë ndeshje, pra të shtunën, pritet që pallati i sportit “Qazim Dervishi” të jetë i mbushur me kapacitetin e tij maksimal, teksa sfida do të luhet në orën 18:00.
Senad Nikshiqi