Java e 23-të e Superiores do marrë zhvillim këtë fundjavë, duke nisur nga nesër e për tu finalizuar ditën e shtunë. Ku kësaj rradhe dita e dielë do jetë pushim për ekipet e elitës së futbollit tonë. Kështu Vllaznia në këtë raund do presë në Shkodër, skuadrën e Kastriotit. Me krutanët që paraqesin një kundërshtar të sikletshëm, por para publikut të tyre kuqeblutë do duan maksimumin.

Kjo duke parë edhe ndeshjet që kanë edhe rivalët direktë për titullin kampion siç janë Partizani dhe Tirana. Duke nisur me të kuqtë që udhëtojnë drejt Kukësit ditën e nesërme për tu ndeshur me vendasit e drejtuar tashmë nga Hallaçi.

Verilindorët janë në nevojë emergjente për pikë, kjo pasi rrezikojnë rënien nga Superiorja pas shumë vitesh ku luftonin për titullin kampion dhe zonat e Europës. Po ashtu edhe Tirana nuk ka aspak një duel të lehtë pavarësisht se luan në shtëpi ditën e shtunë kundër Teutës.

Bregdetarët kanë marrë një fytyrë tjetër me Martinin në krye të stolit. Edhe suksesi i fundit në kampionat kundër Kukësit në shifrat 1-0 ka rritur shumë moralin në kampin durrsak, që po ashtu po kërkon pikët e sigurisë në një edicion goxha të komplikuar për ta.

Patjetër që Vllaznia do kërkojë të shfrytëzojë në maksimum ndonjë ndalesë të mundshme të kundërshtarëe duke parë edhe ndeshjet e forta që kanë. Por pa e humbur kurrë fokusin dhe përqendrimin nga ndeshja e tyre kundër Kastriotit. Ku krutanët kanë treguar përgjatë gjithë sezonit se janë një skuadër e vështirë për tu mundur, pavarësisht se janë në fundin e tabelës me vetëm 20 pikë të grumbulluara.
Endri ÇINARI