Tirana ka përfituar nga humbja e Partizanit për t’u shkëputur më shumë në renditje në kreun e Superiores. Një fakt që gëzon Orges Shehin i cili pas suksesit ndaj Erzenit, e cilësoi shumë të rëndësishëm për faktin se ekipi tregoi karakter në një javë të vështirë.
“E dinim që ishte ndeshje ndeshje e vështirë, se Erzeni është skuadër e fortë, agresive dhe me shpirt gare, me entuziazëm, që janë shumë thelbësore në futboll. Ata ishin vetëm 5 pikë pas nesh. Ishte një fitore që na kënaq, edhe pse ishte një ndër javët më të vështira që kur kam ardhur këtu për shkak të virozëve, kartonit, dhe që lojtarët të federoheshin vetëm në fund. Ishte një ndeshje shumë e vështirë për t’u përgatitur.
Ka qenë e vështirë dhe kishim 2-3 ditë për ta përgatitur, me dy module në kokë se nuk dinim a federohej apo jo Lushkja. E nisëm ndeshjen dhe vuajtëm pak presionin e kundërshtarit, agresiv në topin e parë dhe të dytë që e fitonin. Na kapnin me mbrojtjen e hapur dhe u detyruam që të zbritnim Gjumsin që të ktheheshim me 5.
Kur kundërshtari ndryshoi, ishim më të qartë se e kemi punuar më shumë këtë mënyrë loje duke mbyllur kundërshtarin në gjysmëfushën e vet. Për shkak dëmtimesh e mungesave, por edhe për t’iu përgjigjur në duele pasi Toshevski kishte vështirësi, dolëm me 3-5-2 dhe mendoj se na dha efikasitet. Por ditët ishin të pakta për të ngarkuar lojtarët me 3-4 sisteme loje.
Sot ishte hera e parë që u thashë lojtarëve që asnjëherë në këtë kampionat nuk kemi bërë 3 fitore radhazi dhe ky ishte test karakteri për të treguar që kërkojmë këto objektiva apo jo. Pjesa tjetër ishte e vështirë se as goditjet standarde nuk i bëmë se nuk dinim a kishim apo jo lojtarët. Ishte ndeshje e shkallës së vështirësisë së lartë, u thashë lojtarëve që mungon vetëm kthejlltësia. Lojtarët e shohin që duhet të vlerësojnë kundërshtarin, në kampionatin tonë diferencat janë të vogla dhe çdo skuadër arrin të të dëmtojë.
Kampionati kështu është, herë luajmë ne të parët e herë të fundit. Jemi të kënaqur që këtë vit e kemi nisur mirë me katër fitore, përfshirë Kupën. Kërkojmë vazhdimësi, jo se nuk kemi pasur. Por edhe pse bëjmë transferime, skuadra është kompetitive. Pastaj kundërshtari herë gabon e herë fiton. Por kur luan i fundit ke një motivim ekstra pasi di se si luajnë kundërshtarët”, tha Shehi pas sfidës për “Oversport”.