Rastet me koronavirus po shtohen nga dita në ditë në botën e futbollit. Ezequiel Garay ishte i pari që u infektua me COVID-19 te skuadra spanjolle, teksa të njëjtin fat kanë edhe anëtarë të tjerë të klubit. Valencia ka lëshuar një komunikatë për shtyp, aty ku konfirmon rastet, por pa zbuluar emra të tjerë.

“Valencia CF informon se pesë raste pozitive të koronavirusit COVID-19 janë zbuluar në mesin e stafit të parë dhe lojtarëve. Të gjithë këta persona tani janë në shtëpi, në gjendje të mirë shëndetësore dhe në kushtet e izolimit. Përveç sigurimit të informacionit të mëtejshëm gjatë orëve të ardhshme, klubi rithekson mbështetjen tonë për autoritetet shëndetësore dhe fushatat e tyre të ndërgjegjësimit social.

Po kështu, Valencia CF ritregon besimin tonë në sistemin spanjoll shëndetësor dhe në rekomandimet e bëra nga Ministria e Shëndetësisë për raste të infeksionit koronavirus si këto. Ne besojmë se, me solidaritet, përgjegjësi dhe moral të mirë, ne do ta mposhtim këtë pandemi”, lexohet në komunikatën e Valencias. /abcnews/