Kombëtarja shqiptare U16 është duke marrë pjesë në turneun “UEFA Development U16” që do të zhvillohet në vendin tonë në datat 9-14 prill. Pjesë e skuadrës së drejtuar nga trajneri Ervin Bulku është edhe në futbollist i ardhur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por me origjinë nga Shkodra.

E kemi fjalën për sulmuesin John Jaku. “SHKODRA SPORT” mëson se ai vetë ka lindur në Michigan të SHBA-së më 6 nëntor 2006, por dy prindërit e tij janë nga kryeqendra e Veriut, pikërisht nga Guri i Zi, një fshat vetëm pak kilometra larg tij.

Marjani dhe Liljana kanë emigruar herët për në kontinentin e largët, por fëmijëve të tyre që kanë lindur atje, ua kanë injektuar gjithmonë dashurinë për vendin e të parëve dhe fakti më i mirë për këtë është John do të përfaqësojë Shqipërinë në futboll, sportin e tij të preferuar.

Ai e ka nisur këtë sport që në moshën 5 vjeçare duke u aktivizuar me disa ekipe të ndryshme ndërda tani është pjesë e “Columbus Crew MLS Next”. Aty ku spikat me paraqitjet e tij dhe jo më kot ka rënë në sy të shumë specialistëve.

Por ndërkohë në momentin më të parë që i ka ardhur ftesa nga Federata Shqiptare e Futbollit, John ka thënë menjëherë po”. Duke folur në lidhje me këtë ftesë, John është shprehur:

“Jam shumë i kënaqur që do të luaj për Kombëtaren e Shqipërisë. Kam dashur gjithë jetën të luaj për këtë ekip, që kur kam qenë 5 vjeç e kam nisur të luaj futboll, ëndrra ime ka qenë të luaj për këtë Kombëtare dhe ekipin e parë. Emocione që vesh këtë fanellë? – Prindërit e mi kanë qarë, më duket sikur jam në ëndërr”./SHKODRA-SPORT.COM/