Problemet me dëmtimet e kanë shoqëruar shumë Vllazninë në këto javë. Emra si: Latifi, Bulatoviç, Hakaj, Jonuzi, Heriç, Aralica e të tjerë kanë pasur probleme të vazhdueshme. Edhe kjo javë kundër Laçit e gjen Vllazninë me mungesa në peshë në formacionin titullar.

Kështu për Liridon Latifin ende nuk ka një datë për rikthmin në fushën e lojës. Ku dëmtimi i prishtinasit ka rezultuar më i rëndë seç u mendua në fillim. Po ashtu edhe Esin Hakaj prej dy javësh ka munguar tek kuqeblutë, e ndaj kurbinasve nuk duket të jetë i gatshëm. Mund të ketë një shpresë për rikthimin e Boshnjakut dhe Heriç.

Por për të dy mesfushorët duhet parë me kujdes situata e dëmtimeve të tyre. Ky raund e gjen Vllazninë edhe me një tjetër mungesë të rëndësishme. Fjoart Jonuzi konfirmohet që do jetë jashtë të paktën edhe këtë javë kundër laçianëve. Rikuperimi i tij i plotë do edhe pak kohë që të arrihet dhe stafi nuk do të rrezikojë.

Një mungesë me peshë kjo për formacionin e Joses, që duhet të “arnojë” 11-tshen titullare për ndeshjen e së dielës. Një takim që paraqet një shkallë të lartë vështirësie, ku transfertat në Laç kanë qenë gjithmonë të “sikletshme” për çdo skuadër të Superiores.
Endri ÇINARI